menu

10 këngët më të bukura të “The Top List” për vitin 2018


Ora: 14:57 Datë: 22/12/2018

Jemi në javën e 157-të të klasifikimit ndërkohë që edhe pak ditë na ndajnë nga fillimi i vitit të ri. Ndërkohë që një tjetër vit po kalon, “The Top List” vazhdon të mbetet një prej klasifikimeve muzikore më të rëndësishmë në vend, ku pjesë e saj janë artistë të njohur por nuk kanë munguar edhe ata të rinjtë. Madje “The Top List” ka qënë dhe do të mbetet një nga mbështetësit kryesor për të afirmuar artistët e rinj në tregun muzikor shqiptar, duke i dhënë atyre rëndësinë e duhur dhe vendin që meritojnë.

Kemi përzgjedhur 10 këngët më të bukura të “The Top List” për vitin 2018-të dhe janë pikërisht këto këngë që kanë qënë më të dëgjuara dhe të votuara gjatë gjithë vitit.

Vendin e parë si kënga më e dëgjuar dhe e votuar për këtë vit është “Ni Milion Rrugë” kënguar nga reperi i dashuri i publikut shqiptar, Unikkatil. Kjo këngë ka qëndruar në vendin e parë për 9 javë në total. I njohur për tekstet e tij pikante, Unikkatil edhe kësaj radhe ka ardhur me një “poezi” kushtuar vështirësive të jetës, fëmijërisë së tij në shkollën fillore dhe më pas në shkollën e mesme, e cila menjëherë ka rrëmbyer vëmendjen e publikut shqiptarë, duke e bërë pjesë të “The Top List” që në javën e parë të publikimit. I pa shoqëruar me një videoklip, pa praninë e femrave të zhveshura apo makinave të bukura, Unikkatil preferon të transmetojë tek fansat muzikën e tij të vërtetë.

Projekti i dytë më i dëgjuar dhe i votuari në “The Top List” është bashkëpunimi i Tayna dhe Don Phenom, “Columbiana”, e cila ka qëndruar në krye të klasifikimit për 8 javë. Ndërkohë që ka 27 javë që i është bashkuar klasifikimit, kjo këngë vazhdon ende të jetë pjesë e saj, duke u renditur në pozicione mjaft të rëndësishme. Në një intervistë të dhënë, reperja e talentuar ka shpjeguar se “Columbiana” ishte punuar si këngë, në momentin kur Don Phenom iu bashkua asaj, duke e shndërruar këtë këngë në një ndër hitet e kësaj vere.

Butrint Imeri është një tjetër artist që ka rezultuar tepër i suksesshëm këtë vit. Ndërkohë që ka publikuar disa projekte muzikore këtë vit, më e preferuara e publikut shqiptar ka qënë “Xhanem”, një këngë që për 6 javë ka qëndruar në vendin e parë të listës, duke u shndërruar në këngën e tretë më të votuar të “The Top List”. Kjo këngë, e cila i përket zhanrit muzikor “RnB”, i është bashkuar klasifikimit rreth 52 javë më parë, duke vazhduar ende të jëtë në listë, duke marrë ende mbështetje nga publiku shqiptar.

Rikthimi i Elvana Gjatës në tregun muzikor shqiptar u prit mjaft mirë nga publiku, i cili tregoi qartë se kjo artiste i kishte munguar pafund muzikës. Këngëtarja e dashur u rikthye me një minialbum, i cili përbante 6 këngë në total. Ndërkohë që të gjitha këngët morën vlerësime maksimale nga publiku, dy këngët më të votuara në “The Top List” kanë qënë “Me fal” dhe “Xheloz”. Elvana ka mundur të qëndrojë në vendin e parë për 4 javë me “Me fal” dhe tre herë me “Xheloz”, duke përcjellë tek publiku nje ndjenjë dhe emocion të veçantë.

Çdo këngë që ajo publikon, shndërrohet menjëherë në një hit muzikor. Bëhet fjalë për këngëtaren 21-vjecare Orkidea Latifi, e njohur me emrin e artit si Kida. Kjo artiste, këtë vit, është futur gjithashtu në grupin e këngëtarëve më me shumë këngë në “The Top List”. Pavarësisht se ka ardhur me disa prurje të reja muzikore këtë vit, fansat kanë përzgjedhur “Ti” si këngën më të bukur të Kidës për këtë vit. Kjo këngë, e cila është pjesë e klasifikimit prej 42 javësh, ka qëndruar gjithashtu edhe në vendin e parë për dy javë.

Një bashkëpunim tepër interesant është cilësuar “Cika Cika” e Ardian Bujupit dhe Xhensilës. Dyshja e talentuar bashkoi fuqitë, duke sjellë një këngë mjaft ritmike, e cila luhet pafund nëpër makina dhe klubet e natës. E renditur në disa pozicione të rëndësishme, kjo këngë madje ka arritur të renditet në vendin e dytë, shumë pranë kreut të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare. Madje kjo këngë ritmike nuk është dëgjuar vetëm në trojet shqiptare, por edhe më gjerë.

Një tjetër bashkëpunim befasues është konsideruar ai i Capital T dhe Majk. “Pasha jeten” titullohet kjo prurje e dyshes së talentuar, miqësia e të cilëve daton shumë vite më parë. Në fakt kjo këngë nuk është bashkëpunimi i parë për dyshen pasi rreth 8 vite më parë, ata kanë bashkëpunuar për një tjetër projekt muzikor, i titulluar “Asnjoni”. Capital T ka postuar një foto në llogarinë e tij të Instagramit, në të cilën shfaqen dy artistët në vite të ndryshme, 2011 dhe 2018, duke treguar se miqësia e tyre i ka rrënjët e herëshme. E renditur në disa pozicone të rëndësishme, “Pasha jeten” është përzgjedhur si një prej 10 këngëve të “The Top List” për vitin 2018-të.

“Mike” është një tjetër projekt muzikor që është pëlqyer pafund nga publiku shqiptar. Një bashkëpunim mes Elvana Gjatës, Ledri Vulës dhe John Shahut, kjo këngë ka rrëmbyer menjëherë zemrat e publikut shqiptar, duke u shndërruar në një prej këngëve më të bukura të vitit 2018-të edhe pse është publikuar thuajse në mes të vitit. E renditur disa herë në zonën e nxehtë të klasifikimit, kjo këngë vazhdon ende të votohet nga publiku shqiptar edhe pse jemi në ditët e ftohta të dimrit.

Ghetto Geasy dhe Flori Mumajesi bashkuan fuqitë dhe sollën “Dashni me raki”, një këngë nuk kishte dyshim që do të pëlqehej pafund nga publiku. E publikuar rreth 29 javë më parë, ky projekt muzikor është renditur në disa pozicione të rëndësishme në klasifikimin e “The Top List” dhe ende vazhdon të dëgjohet dhe votohet nga fansat, duke treguar kështu që kjo këngë mund të konsiderohet një ndër hitet e kësaj vere dhe një këngë tepër e suksesshme për vitin 2018-të.