menu

Ngjyrat që kanë mbizotëruar nëpër videoklipet e verës deri më tani


Ora: 13:55 Datë: 25/06/2021

Nuk ka asnjë dyshim që këtë verë do ta shijojmë në mënyrën më të mirë të mundshme me projektet e reja muzikore të artistëve më në zë. Nëse ndalemi pak tek videoklipet që janë publikuar së fundmi, do të vëmë re një mbizotërim gati-gati të njëjtë ngjyrash.

Kënga që është momentalisht në krye të klasifikimit të 100 këngëve më të mira shqiptare, “Pa ty” nga Cricket, Muma dhe Dafina Zeqiri, është xhiruar në natyrë. Ngjyrat mbizotëruese në këtë rast janë disi të ftohta, pa shumë gjallëri, ndoshta nisur dhe nga teksti i këngës.

Diçka e ngjashme ndodh dhe me këngën më të re nga Elvana Gjata, “Loti”. Dhe ky videoklip, ashtu si “Pa ty”, dominon jeshilja, ngjyrat e tokës dhe pak të errëta.

Një projekt tjetër nga Dafina Zeqiri, “Japa”, i cili është publikuar në muajin maj, ka ardhur krejtësisht ndryshe nga “Pa ty”. Kënga është më ritmike dhe nga kjo gjë rrjedhin dhe ngjyrat e forta të përdorura në videoklip, ku mund të dallojmë më së shumti rozën, si dhe ndryshimin në look-un e këngëtares, ku shihet më sensuale dhe energjike.

Kënga “Marr” e publikuar nga Majk dhe Ledri, sjell një atmosferë më verore. Një pjesë e videoklipit është xhiruar në plazh dhe në disa pjesë të tjera këngëtarët shihen buzë pishinës apo duke ngarë makinën. Ngjyrat e përdorura këtu janë të ngrohta, si vetë natyra e këngës dhe mbizotëron ngjyra e kaltër, e kuqe, apo ajo e bardhë.

Kënga më e re e sjellë nga Ardian Bujupi, “Peligrosa”, sjell ritme spanjolle dhe po ashtu ngjyrat janë të ngrohta dhe verore.

“Qa din ti” e Melindës ka krijuar kaq shumë zhurmë dhe sigurisht që nisur nga natyra e ‘egër’ dhe e zjarrtë e këngëtares, dihej që dhe ngjyrat do të ishin të tilla.

Në një videoklip si ai i “Don mo” nga Ledri Vula, nuk kishte si të mungonte atmosfera verore dhe plazhet e shtrenjta, sjoqëruar me ngjyrat e detit apo të rërës.

Ngjyrat mbizotëruese të plazhit dhe muzika e mirë dhe ritmike nuk kishin si të mungonin dhe në projektin më të ri të Dhurata Dorës në bashkëpunim me GIMS.

Reperi Trelo ka sjellë këngën e tij të re “Assassina” dhe këtu dominuese janë ngjyrat e errëta, ato blu, të kuqe apo të zeza.

Na mbetet ende të presim për të zbuluar më shumë projekte muzikore nga artistët shqiptarë. Një gjë është e sigurtë, ato do të jenë të shumta dhe vera do të shijohet më bukur në ritmet e këngëve më të mira në “Top Awards”.