Kjo javë solli në vëmendje disa tituj këngësh që ne na u dukën pak si shumë familjarë. Dy nga hyrjet e reja këtë javë çuditërisht mbanin titullin “Qaj”. Një prej projekteve është kënga më e re e Nilsa Hysit, që ka sjellë një version më modern të këngës “Qaj Maro”. Ndërsa tjetri, është një nga këngët e reja të Yll Limanit nga albumi i tij i fundit, “Lshoja Zanin”.
Por jo vetëm kaq. Dy nga hyrjet e reja të kësaj jave kanë qenë gjithashtu me të njëjtin titull, “Era”. Këtu po flasim për bashkëpunimin e Dafina Zeqirit me Butën, si dhe bashkëpunimi i Mira Konçit me Faton Maculën. Kjo na bëri të mendojmë për të gjitha këngët që kanë pasur të njëjtin titull gjatë këtij viti.
Gjithashtu këtë vit kemi pasur në klasifikimin e “The Top List” tre këngë me të njëjtin titull “Loti”. I pari ishte Bardhi që erdhi me një baladë nga ato që vetëm ai di si të mallëngjejë. Pas tij erdhi projekti shumë i pëlqyer nga Elvana Gjata që qendroi për shumë javë në Top 10 të klasifikimit dhe tani ende është pjesë e listës prej 26 javësh tashmë. Nga ana tjetër vetëm 3 javë më parë, edhe Numen solli projektin e tij të fundit me këtë titull.
Mos ndoshta artistët kanë krijuar një formë të mirë marketingu duke publikuar projekte me disa fjalë kyç të caktuara? Apo ndoshta e gjithë kjo është një rastësi? Gjithsesi projektet e tyre mbeten ndër më të preferuarat e publikut.