Në 2014 kanalet muzikore Top Media morrën një nga vendimet më të vështira e më të diskutuara brenda tyre po pse jo edhe jashtë, një vendim që do të ndikonte jo pak në perceptimin për muzikën shqiptare dhe qasjen e publikut ndaj saj. Pas 12 vitesh suksesi të jashtëzakonshëm Festivali i Muzikës Moderne Shqiptare – Top Fest do të ndalte… arsyeja do të ishte fillimi i diçkaje të re, jashtë kohës dhe pritshmërive shqiptare mediatike e muzikore.

Top Fest ishte festivali i cili ndryshe nga tradicionali Festival i Këngës në RTSH dhe alternativa e këtij të fundit i cili u mundua të ishte modern, por përfshiu vetëm elitat muzikore të kohës, përfshiu të gjithë artistët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni (tani të Veriut) dhe diasporë, duke i dhënë shansin që nuk i ishte dhënë kurrë nga asnjë festival tjetër. Vizioni i krijuesve të festivalit ishte të përfshinte të gjitha rrymat muzikore dhe të hapte kanalet muzikore Top Media – Top Albania Radio, Top Channel dhe pak më vonë My Music TV & Radio drejt prodhimeve të tjera veç atyre të TAR Records të cilat ishin po aq moderne sa muzika ndërkombëtare që kanalet transmetonin. Tregu ishte gati, duhej vetëm pak suport. Kjo platformë shndërroi pasqyrën muzikore shqiptare njëherë e mirë duke kthyer në yje artistët që sot e kësaj dite janë më të paguarit e ‘tregut’.

Ishte koha e festivaleve, mbas Top Fest të tjerë të ngjashëm do të zhvilloheshin si pasqyra të tij, sigurisht jo me të njëjtin impakt. Por bota lëviz shpejt, dhe Top-i gjithmonë kërkonte të lëvizte me të jo duke ecur me ritmet e breshkës brenda kufijve. Në 12 vite gjërat do të ndrronin shumë brenda e jashtë kufijve.

Me trashëgiminë dhe madhështinë në mendje në Dhjetor 2015 do të niste i pari klasifikim që mblidhte 3 televizione 2 radio dhe WebSitet nr1 në Shqiptari. Suksesi ishte i menjëhershëm dhe çfarë pasoi ishte nata më e shkëlqyer muzikore ndonjëherë në vendin tonë, e krahasueshme me standartet më të larta perëndimore – Top Music Awards, Qershor 2016 njësoj si ajo që frymëzoi prej fillimit – MTV Awards.

Edhe pse për shkaqe të brendshme të Top Medias, tregut që vazhdon të vuajë pasoja të klientelizmit si edhe fenomeneve që nuk varen prej nesh, nata ngelet e vetme – The Top List feston këtë javë, Javën e 300.

Në 6 vite ai është rritur nga 20 këngë në 50 e më pas 100 me qëllimin për t’u bërë Top 200 së shpejti, duke ndikuar në rritjen e artistëve, mbështetur të rinjtë që nuk e gjejnë veten më në festivale, por eksplorojnë lirisht hapësirat e botës së rrjeteve sociale. Në 6 vite ja cilët janë 10 artistët që kanë qëndruar më shumë në krye:

  1. Ledri – 25 javë.
  2. Elvana Gjata – 25 javë.
  3. Alban Skënderaj – 20 javë.
  4. Butrint Imeri – 20 javë.
  5. Capital T – 18 javë.
  6. Kida – 18 javë.
  7. Yll Limani – 17 javë.
  8. Lyrical Son – 15 javë.
  9. Mc Kresha – 14 javë.
  10. Unikatil dhe Stresi kanë të dy nga 11 javë secili.

Top Music Awards 2 nuk është larg – garanci për këtë është qëndrueshmëria e klasifikimit që vendoset vetëm nga publiku me votat e tij i pa cënuar nga influenca apo blerje klikimesh. Deri atëhere, Gëzuar 300 Javët – The Top List – edhe 300 të tjera. Faleminderit të gjithëve, juve që votoni çdo ditë, ju që publikoni muzikë të mirë, të gjithëve ju që e bëni një listë me këngë – më të rëndësishmen.

…vazhdon

Ledion Liço