Alban Skënderaj ka ardhur me një projekt ndër më personalët e karrierës së tij. Artisti ka prezantuar albumin e ri me titull “Rrënjët”. I ftuar mëngjesin e sotëm në “Wake Up”, ai ka folur më shumë për këtë album, por jo vetëm…

Këngët e albumit kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm, çfarë ke për t’i thënë publikut që lidhet kaq shumë me projektet e tua?

Është diçka që më frymëzon, më jep energji për ta mbajtur këtë linjë dhe të jem gjithmonë më afër publikut. Tani ka një lloj besimi që është krijuar dhe nuk duaqë  ta thyej. Kjo ndodh sepse jam shumë afër jetës së përditshme, këtë e kam pasur gjithmonë. Kam dashur të flas për ndjesi tek njerëzit çdo ditë, prandaj këngët e mia vijnë afër zemrës dhe ndjesive bazike të jetës. Nuk dua të largohem nga realiteti, patjetër ta trajtoj bukur, poetikisht, por gjithmonë muzikë që i ka rrënjët në tokë, jo në ajër.

Pse “Rrënjët”?

Lindi si një projekt gati padashje. “Himalaja” ka qenë kënga e parë që kam shkruar dhe nuk m’u duk se duhej të dilte vetëm. Kishte atë folkun dhe nuk e shihja dot si një projekt të veçuar. Mendova që po të bëj edhe nja dy këngë si kjo, mund të bëj një EP me katër ose pesë këngë. Aty fillova të shkruaj këngë të ngjashme, duke kërkuar pak tek motivet tona por gjithmonë duke e trajtuar më pop. Dhe aty vendosa të krijoj një album me 8 këngë, 8 këngë që lidhin njëra-tjetrën. “Rrënjët” ishte mënyra më e mirë për të trajtuar atë që doja unë. Po të shikosh motivet shqiptare janë, por janë pak më poshtë, si rrënjët, jo në sipërfaqe. Doja një fjalë që t’i përmblidhte të gjitha. Ka disa nuanca shqiptare, jugu. Një jug naiv sepse folkun nuk e njoh shumë mirë, sepse jam larguar i ri nga Shqipëria. Më kujton pak albumin e parë që kam bërë, edhe aty kisha disa gjëra naive të pandikuara, të pastra, që buronin nga faza e parë e jetës sime në Shqipëri.

A është muza ky rikthimi yt në këtë fazën e parë të jetës tënde?

Pas më shumë se 15 vitesh u riktheva të mos kem fare ndikim apo analizë. U ktheva të jem ai djali 20 vjeç që e bënte muzikën sepse e dashuronte. Nuk u ktheva dot plotësisht, por qoftë edhe pak është ndjesi fantastike lirie. Kjo ka qenë falë koncerteve, kur kam takuar njerëz që më duan për atë që jam dhe për muzikën që bëj. Aty kuptova që paskam një dashuri të pakushtëzuar dhe një marrëdhënie të drejtpërdrejtë. Kjo më bëri të zhvishem nga pasiguritë e industrisë. Kuptohet që kam evoluar si artist, por është e rëndësishme të sjellësh diçka nga vetja por pa e ndryshuar tek rrënjët.

A do të kemi koncerte në Tiranë?

Në Tiranë është patjetër nevoja. Nuk e di ende se si do të shkojë përsa i përket Tiranës. Ne do të vazhdojmë turin “Motiv” nga shtatori. Gjatë verës do kemi disa organizime nëpër rrethe, pastaj në shtator do të nisim sërish. Në Tiranë shpresojmë që me turin e radhës ta nisim këtu.