Alban Skënderaj ka ardhur me një projekt ndër më personalët e karrierës së tij. Artisti ka prezantuar albumin e ri me titull “Rrënjët”. Ky projekt shkon përtej muzikës, duke u ndërtuar mbi një ide të fortë emocionale, kujtimet, ndjesitë dhe përjetimet që mbeten brenda nesh për vite me radhë dhe që në një moment rikthehen në sipërfaqe. Siç ka thënë dhe vetë artisti, me këtë album ai “kthehet në shtëpi”. Albani renditet në Top 5 me tre këngë, ku merr fronin me “Pianisti”, në vend të dytë me “Karma” dhe në vend të tretë me “Vajzo”.

Por cila është fabula e tyre?

Pesë këngët e para lidhen me njëra-tjetrën, pra janë pesë episode. Për mesazhin pas tyre, Albani ka treguar vetë për secilën:

Kënga e parë titullohet “Himalaja” dhe flet për një person që ka arritur majën. Maja është e bukur, por harrojmë që është dhe e ftohtë, të sjell dhe vetmi. Ke pak shikim sepse shpesh ka re dhe ka pak oksigjen. Ky është dhe mesazhi, kur je lart, humbet gjëra që kanë vlerë.

Kënga e dytë titullohet “Vallëzimi”, që siç thotë dhe Albani është një nga të preferuarat e tij në album, pasi është hera e parë që bën një këngë me ritme vals. Një këngë romantike, e cila ka nuanca arbëreshe. Fabula flet për një vallëzim me zemrën tënde, ku ti i kërkon zemrës tënde edhe njëherë një vallëzim të fundit në një dashuri të humbur.

Kënga e tretë titullohet “Ngujimi”. Është sa diellore, aq edhe melankolike. Flet për një djalë që është “ngujuar” poshtë dritares së një vajze dhe pret aty pa lëvizur, deri në momentin që ajo të dalë dhe të ketë mundësi t’i kërkojë falje.

Kënga e katërt titullohet “Vasha”, me pak nuanca jugu por plot energji që transmeton. Është nëj këngë që flet për një dashuri të vonuar, por një dashuri që u bë e mundur atëherë kur ishin humbur të gjitha shpresat. “Vasha” është ajo që vjen në momentin kur ti nuk e pret, duke zbritur nga qielli dhe të ndërron jetën.

Kënga e pestë titullohet “Aroma”, një këngë pranverore. Flet për dikë që ritakohet me dashurinë e tij pas një kohe të gjatë dhe gjëja e parë që ndihet, është aroma. Një këngë me vibes pozitive.

Kënga e gjashtë titullohet “Pianisti”, kënga ndoshta më e veçantë e albumit. Në një piano për herë të parë, është shkruar muzika e jugut. Imagjinoni një pianist i cili ka 20-30 vite larg vendit të tij, atje shkruan muzikë klasike, por një natë i shkruajnë gishtat tek shtëpia, tek taditat, atje ku ka qenë fëmijë.

Kënga e shtatë titullohet “Vajzo”. Kjo ishte kënga e fundit që shkruajti Albani dhe që donte një këngë gazmore. Është një kombimin mes tradtës, të shkuarës dhe të tashmes, që del shumë e bukur dhe tingëllon moderne.

Kënga e tetë titullohet “Karma”. Dritat e qytetit janë fikur tashmë dhe ai mundehet të bërtasë trishtimin e tij. Është një këngë që i ka të dyja, edhe një refren shpërthyes, edhe disa strofa reflektive. Mesazhi është i thjeshtë, jeta, universi dhe Zoti i bën gjërat që çfarë përjeton ti sot, mund t’i ndodhë dikujt nesër.