Edhe pak na ndan nga mbyllja e 2024 dhe nisja e një viti të ri. Dhe kjo javë ka sjellë dhe klasifikimin e fundit për këtë vit.

Teksa jemi vetëm disa ditë larg 2025, shumë ka ndryshuar dhe në listën e 100 këngëve më të mira moderne shqiptare në Top Awards. Po ashtu ndryshime të mëdha ka patur dhe në Top 5.

Vendi i parë për këtë javë ka shkuar për Yll Limanin me “Dje”, një hyrje e re por që rrëmbeu të gjithë votat e fansave për kreun. Në vend të dytë kemi po ashtu një hyrje të re.

Kidda dhe Fifi kanë arritur të pozicionohen në vend të dytë. Sa i përket vendit të tretë, Ledri Vula ka marrë po ashtu votat e fansave duke qenë ende një hyrje e re.

“Oj Oj Oj” arriti të bënte mjaft bujë që kur u paralajmërua si projekt dhe kurioziteti i fansave ka qenë i madh. Projekti ka hyrë këtë javë në klasifikim me një renditje shumë të kënaqshme.

Në vend të katërt renditet një bashkëpunim mjaft i suksesshëm, “Ti m’ke braktis” nga Big Basta, Lyrical Son dhe Mc Kresha. Top 5 e mbyll sërish një hyrje e re, balada e ndjerë dhe shumë romantike e Alban Skënderaj dhe Miriam Canit, “Jeta ime”.