Dy artistët shumë të dashur të muzikës shqiptare, Fifi dhe Pirro Çako, kanë publikuar një projekt muzikor së bashku. Kënga titullohet “Të kam në mend” dhe vjen me një tekst emocional, të ndjerë dhe të fuqishëm.

Një këngë që vjen si një ndërthurje emocionesh, nostalgjie dhe ndjenjash të thella, duke bashkuar dy artistë me stile të ndryshme, por me të njëjtën fuqi artistike.

Fifi, e njohur për interpretimet e saj plot shpirt dhe tekstet që prekin publikun, sjell energjinë dhe ndjeshmërinë që e ka karakterizuar gjithmonë në muzikën e saj. Nga ana tjetër, Pirro Çako, një prej emrave më të respektuar të muzikës shqiptare, i jep baladës elegancën dhe përvojën artistike që vetëm ai di të transmetojë.

Për realizimin e këtij projekti është kujdesur vetë kantautori i mirënjohur Pirro Çako, i cili mban autorësinë si për muzikën ashtu edhe për tekstin e këngës.

Të dy artistët kanë një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në muzikë, me një sërë projektesh që kanë lënë gjurmë në skenën shqiptare. Nuk vihet në diskutim zëri i veçantë dhe interpretimi i fuqishëm i Pirro Çako, si dhe talenti dhe vokali i jashtëzakonshëm i Fifit.

Që në momentet e para të publikimit në YouTube, kënga është pritur shumë mirë nga fansat, të cilët kanë lënë komente të shumta pozitive dhe kanë vlerësuar bashkëpunimin mes dy artistëve.