Një titull i shkurtër, një temë që të gjithë e njohin. Olsi Bylyku sjell një tjetër këngë që premton të mos kalojë pa u vënë re.
Olsi Bylyku rikthehet me projektin e tij më të ri, “EX”, një këngë që që në titull prek një nga temat më të komentueshme të marrëdhënieve moderne, ish-in. Artisti vjen me një histori flirtuese, plot vetëbesim dhe një “ex” që nuk është më i njëjti…
Në tekst, vëmendjen e merr menjëherë vajza që, pas ndarjes, duket se ka ndryshuar komplet. Ajo “shkëlqen” më shumë se më parë, ka rikthyer vetëbesimin dhe nuk duket aspak e shqetësuar për atë që ka lënë pas.
Me “EX”, Olsi Bylyku sjell një histori moderne dashurie, ku ndarja nuk është fundi i historisë, ndonjëherë është pikërisht momenti kur dikush fillon të shkëlqejë edhe më shumë.