E ftuar në emisionin “Live From Tirana” në Top Albania Radio, ka qenë artistja e njohur Jonida Maliqi. Ajo ka folur më shumë për karrierën e saj, por dhe mbi jetën personale…

Kur vjen puna tek gjërat që njerëzit duan t’i bëjnë dhe nuk i kanë bërë akoma, çfarë do listoje ti tek vetja?

Mendoj që pas të 40-ave, unë jam 43 vjeçe dhe e them me kënaqësinë më të madhe, mendoj që çdo individ pas të 40-ve fillon e reflekton më shumë për veten. Fillon e don veten më shumë dhe fillon të mos marrësh më në konsideratë mendimin e të tjerëve, apo të jetosh për hir të situatave, apo diktimeve, apo formatit që na është stimuluar që në vogëli për të vazhduar e për të jetuar në sajë të disa kornizave që dashur pa dashur prindërit tanë na i kanë sugjestionuar. Kam ardhur në pikën që jetoj gjithçka ashtu siç dua unë, energjinë time të shenjtë ia jap vetëm njerëzve që e meritojnë ta kenë dhe të bëhem pak më egoiste, ta dua veten shumë më shumë dhe ta jetoj jetën në formën më të bukur të mundshme edhe në ato ditët që vërtet më mungon vullneti. Mendoj se kjo përjetohet në bazë të eksperiencave personale, sidomos kur jeta hera-herës të ka rrëzuar dhe kur ke kuptuar se çfarë është vërtet e vlefshme.

Stenaldo: Sikur kam dëgjuar që do kemi një bashkëpunim ne të dy…

Jonida: Sikur i kemi premtuar njëri-tjetrit (qesh). Po uroj ta bëjmë ose brenda 2026, ose në fillim të 2027, se kështu siç na kanë zënë këto punë… E nisëm si një bashkëpunim muzikor dhe pastaj duam ta zgjerojmë këtë sipar. Nëse do të jetë starti këtu, pastaj supozohet që pse jo të jemi pjesë e një kauze që vërtet vendi ynë dhe njerëz si ne kanë nevojë për suportin tonë. Jo se ne jemi ndryshe nga të tjerët, por nga eksperiencat personale dhe duke qenë personazhe publik, ashtu sikurse ndodh në çdo vend të botës.