I ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio ka qenë Algert Sala. Artisti i njohur ka zbuluar më shumë detaje rreth projekteve të tij muzikore, fillimeve të karrierës dhe planeve për të ardhmen.

Kantautor, kompozitor dhe autor tekstesh, Algerti krijon jo vetëm për veten, por edhe për artistë të tjerë. Gjatë intervistës, ai u ndal te procesi i krijimit dhe mënyra se si përvojat personale shndërrohen në muzikë. Gjatë intervistës ka zbuluar edhe më shumë rreth bashkëpunimit me Inis Nezirin,

Dy artistët nuk i bashkon vetëm muzika, por edhe një miqësi e ngushtë. Pikërisht kjo marrëdhënie bëri që prej kohësh të mendonin për realizimin e një materiali të përbashkët. Algerti tregoi se kënga që përfundoi si bashkëpunim mes tyre nuk ishte një krijim i ri. Përkundrazi, ai e kishte realizuar atë rreth katër vite më parë dhe vendosi t’ia prezantonte Inisit.

Unë me Inisin, duke qenë se kemi një shoqëri shumë të ngushtë me njëri-tjetrin, kishim në plan që të sillnim një material. Duke qenë se unë këtë këngë e kisha bërë para katër vitesh, i thashë që kam një material dhe dëgjoje. I pëlqeu. Plani nuk ishte për në verë, por pas shtatorit, sepse edhe ajo kishte angazhimet e saj. Ama gjërat rrodhën ndryshe…

I pyetur nga Davidi se nga e merr frymëzimin kur krijon, artisti tregoi se procesi nuk është gjithmonë i njëjtë dhe shpesh lidhet me emocionet që përjeton.

Pjesa e procesit të krijimit me inspirimin tim është pak e çuditshme, sepse jo gjithmonë është njësoj. Varet gjithmonë nga ndjesia dhe ndonjëherë duhet të futem pak më tepër, më thellë, nëse është prej vuajtjes që mund të kem përjetuar.

Por a janë historitë që sjell në këngë personale? Algerti pranoi se frymëzimin përpiqet ta gjejë pikërisht te jeta e tij, njerëzit që e rrethojnë dhe përvojat e përditshme.

Po. Përpiqem që ta marr frymëzimin nga jeta ime, nga rrethi shoqëror, nga përditshmëria, nga traumat. Dashuria është kthyer pak primare në pjesën e krijimtarisë, në fakt, për shumë artistë dhe personalisht kam shkruar shumë për dashurinë, por jam munduar të devijoj pak dhe t’i tjetërsoj jo tematikat, por kuptimin dhe t’i sjell në një formë që të tingëllojë diçka më ndryshe dhe të mos bëhet e mërzitshme për njerëzit.

I pyetur nëse frymëzohet më shumë kur është i lumtur apo kur është i mërzitur, Sala zbuloi se pikërisht momentet e vështira e shtyjnë më shumë drejt krijimtarisë.

Më shumë kur jam i mërzitur, sepse kërkoj që t’i jap zgjidhje në ato momente ndonjë situate që mund të më ketë mërzitur dhe, nga një mesazh që mund të kërkoj zgjidhjen, përfundoj me një tekst kënge.

Ai ka folur hapur për ndryshimet që ka pësuar industria muzikore dhe vështirësitë me të cilat përballen sot artistët.

Ideja është që tregu muzikor është bërë shumë më i vështirë se ç’ka qenë më parë. TikTok-u merr atë shkëlqimin momental, që njerëzit mund të bëjnë video për një periudhë kohe, por fakti është që një artist investon edhe për pjesën e videoklipeve, të cilat janë në platformën e YouTube-it, dhe u bie pak pesha për t’u parë dhe për t’u dëgjuar në këtë lloj platforme, nga e cila prodhojmë edhe të ardhura.

Sipas artistit, ky ndryshim në mënyrën e konsumimit të muzikës ka ndikuar drejtpërdrejt edhe tek investimet që bëhen për projekte të reja.

Kjo pjesë deri diku i ka dëmtuar edhe vetë artistët për të marrë pas, në fund të ditës, edhe ato fryte për të cilat kanë investuar në një projekt.

Gjatë intervistës artisti u pyet nëse do ta pranonte një ftesë për t’u bërë pjesë e edicionit të gjashtë të reality show-t “Big Brother VIP”. Përgjigjja e tij ishte pozitive, duke lënë të hapur mundësinë për një eksperiencë të tillë.

Po, pse jo? Zakonisht njerëzit më njohin shumë serioz dhe më të rafinuar në atë që unë bëj, por nuk jam dhe aq.

Mesa duket, një pjesëmarrje në “Big Brother VIP” mu nd t’i tregonte publikut edhe një anë tjetër të Algertit, përtej imazhit serioz me të cilin është prezantuar deri më tani përmes muzikës dhe karrierës së tij. Por çfarë do të priste publiku prej tij brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri? I pyetur nëse është një tip i qetë apo nevrik dhe i prirur për debate, artisti u përgjigj shkurt:

Jo. Ka mënyra të tjera, ha kokoshka dhe dëgjo pse jo…