Me çfarë surprizash jemi hasur në klasifikimin e “The Top List” këtë javë? Zbuloni artistët që janë pozicionuar në Top 10 të listës së 100 këngëve më të mira shqiptare për javën në të cilën ndodhemi…

Vendi i parë për këtë javë shkoi për Yll Limanin me “Lshoja zanin”. Një projekt ky që sa vjen e po pëlqehet akoma edhe më shumë nga publiku dhe fansat e tij. Në vend të dytë ndodhet projekti “Spektatore” nga Alban Skënderaj. Kjo këngë cilësohet si një ndër projektet më të mira solo të tij, kuptuar edhe nga pozicionimi në listë.

Projekti “Lockdown” i Ledri Vulës renditet në vend të tretë për këtë javë. Mesa duket shumë prej nesh i ka ngjallur nostalgji koha e karantinës që Ledri na e rikujtoi. “Mos u kthe” nga Semi Jaupaj është padyshim një nga hitet e momentit dhe për këtë javë është renditur në vend të katërt.

Top 5 e mbyll Capital T me “Për ty”, një nga dy këngët e “Për ty & Dy zemra” që erdhi si një projekt i vetëm. Surpriza e kësaj jave është Arilena Ara me “E gjallë”, këngë kjo që është rritur me plot 69 pozicione.

Nëse “Anash & Doja” javën e kaluar gjendej në Top 5, tashmë pozicionohet në vend të shtatë. Vendi i tetë i takon një hyrje të re. Është pikërisht Dhurata Dora me këngën e saj më të re, një baladë romantike me titullin “Sa m’ke mungu”.

Gjon’s Tears ka thyer çdo parashikim me renditjen e kësaj jave. Kënga e tij “Silhouette” është rritur me plot 75 vende nga java e kaluar. Për të mbyllur Top 10 kemi Ronela Hajatin dhe Mato Lale me “Gips” me 13 vende më lart nga java e kaluar. Një mbyllje ritmike, ashtu siç na ka hije.