Me ardhjen e stinës së verës, shumë artistë mbledhin fuqitë jo vetëm për koncertet e shumta por edhe për projektet e radhës, ku mes të cilëve do të përzgjidhet hiti i verës 2019-të. Edhe pse shumë artistë kanë nisur të punojnë fort për projektet e radhës, ka dhe shumë artistë të cilët momentalisht po shijojnë një periudhë të qetë, për t’u rikthyer në verë më fuqishëm se kurrë.

Sa i përket fillimit të vitit 2019-të, ai ka qënë i mbushur me prurje të reja muzikore, të cilat kanë rezultuar tepër të pëlqyera nga ana e publikut shqiptar, i cili nuk ndalet së sugjeruari dhe votuari këngën e tyre të preferuar në klasifikimin e “The Top List”. Por cilët janë artistët që janë renditur më mirë në gjysëm e parë të vitit 2019-të?

“Menemadhe” vazhdon të jetë një ndër këngët më të preferuara të publikut shqiptar. Treshja e njohur, Lyrical Son, Ledri Vula dhe Mc Kresha, ka bashkuar sërish fuqitë, duke sjellë një këngë që është shndëruar në më të preferuarën e publikut shqiptar. E publikuar në fund të muajit janar, ky bashkëpunim vazhdon ende të votohet pafund nga publiku, duke bërë kështu që “Menemadhe” të renditet në vendin e parë të “The Top List” për 5 javë. Pavarësisht se ka dy javë që ka humbur kreun e listës, ajo vazhdon ende mbetet në zonën e nxehtë të klasifikimit.

Një tjetër bashkëpunim ka rezultuar tepër i suksesshëm në këtë pjesë të parë të vitit 2019-të. “Bakllava” është projekti muzikor që bashkoi Butrint Imerin dhe Gjikon, i cili vazhdon edhe sot të dëgjohet dhe votohet nga fansat e dyshes. E publikuar në muajin dhjetor, kjo këngë ka mundur të mbajë vendin e parë të “The Top List” për katër javë në total, duke vërtetuar kështu se “Bakllava-ja” është tepër e preferuar për shqiptarët. Kjo këngë, e cila shënon plot 21 javë në listë, këtë javë renditet në vendin e 16-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm për listën e cila përbëhet nga 100 projekte muzikore.

Elvana Gjata është një tjetër artiste që ka goditur në shenjë me dy projektet e saj të prodhuara së fundmi. “Tavolina e merzise” është këngë që riktheu Elvanën sërish të fortë pas një momenti të sikletshëm në jetën e saj private. Publiku e mirëpriti këtë projekt të Elvanës përmes votave të tyre, duke e renditur për dy javë rresht në vendin e parë dhe duke e vërtetuar më së miri që Elvana nuk di të zhgënjejë. Të njëtën gjë Elvana bëri edhe me “Pa dashuri”, kolonën zanore të filmit “Dy gisht mjaltë”. Kjo këngë, e cila është renditur në vendin e parë për dy javë rresht, arriti kulmin e suksesit të saj pas publikimit të filmit, i cili vazhdon ende të thyje rekorde në shikueshmëri.

Ndër artistët e suksesshëm të këtij fillim viti është edhe Tayna. E shndërruar shumë shpejt në një fenomen muzikor, Tayna ka rezultuar tepër e suksesshme me dy këngët e saj, “Aje” dhe “Kce”. Bashkëpunimi i saj me Ledri Vulën, i publikuar rreth 5 muaj më parë, përveçse është renditur në vendin e parë, ai ka qëndruar gjithashtu për një kohë të gjatë në zonën e nxehtë të klasifikimit, duke u votuar pafund nga publiku. Tayna ka goditur në shenjë edhe me këngën e saj “Kce”, e cila për këtë javë renditet në vendin e 6-të, një pozicion ky mjaft i mirë për një këngë që ka rreth 9 javë që ka dalë në treg.

Gjon’s tears është një talent i ri në muzikën shqitpare, i cili rezultoi tepër i pëlqyer me debutimin e tij muzikor “Babi”. Ish-finalisti i “Albanian’s Got Talent” rrëmbeu sërish zermat e publikut shqiptar edhe pse i kishte munguar atij për vite me radhë. Kënga e tij, të cilën artisti e performoi në “The Voice Kids” ka mundur të qëndrojë në zonën e nxehtë të klasifikimit për disa javë rresht, duke marrë mjaft komente pozitive për zërin e veçantë të Gjon’s tears.

Mjaft i suksesshëm ka rezultuar edhe bashkëpunimi i Gashit dhe Ledri Vulës, “That’s Mine”. Kjo këngë, e cila është renditur në vendin e parë vetëm një javë, për disa javë rresht ka qënë e renditur në vendin e dytë dhe të tretë, duke treguar se dyshja ka goditur në shenjë me këtë publikim muzikor, i cili vazhdon ende të jetë në listë, edhe pse ka 12 javë që ka dalë në treg.