I ftuar në studion e “Lancio” në Top Albania Radio, ka qenë artisti i talentuar që na bën krenar edhe në botë, Gjon’s Tears. Ai ka folur më shumë për karrierën e tij muzikore, si dhe planet e ardhshme…

Cili është qëllimi i të bërit muzikë për ty?

Qëllimi im është të emocionoj audiencën. Nga fillimi kur unë emocionova gjyshin, për mua ishte një eksperiencë shumë e veçantë. I kam ruajtur lotët e gjyshit në emrin tim Gjon’s Tears, edhe se gjyshi im ishte pak dramatik dhe më thoshte “nuk do jem më këtu kur të bëhesh i madh”. Dhe unë jam nxituar që t’i bëj sa më shumë gjërat dhe jam krenar që më ka parë në fillim në “Albanians Got Talent” dhe në “The Voice” dhe në Eurovision, kështu që jam krenar që i ka parë këto gjëra dhe më ka frymëzuar gjyshi. 

A ka në planet e tua ndonjë bashkëpunim me një artist shqiptar apo të huaj?

Shqiptar për momentin, jo. Unë gjithmonë do e them që jam fans i Aurela Gaçes, për mua është këngëtarja më e mirë e Shqipërisë. Ishte këngëtarja në një dasmë kur isha dhe kemi kënduar bashkë “Moj e bukura more” dhe i thashë që jam pak i stresuar sepse “për mua ti je Celine Dion shqiptare”.

A mendon ta përfaqësosh Shqipërinë në Eurovision?

E kam pasur mundësinë të përfaqësoja Zvicrën, e kam treguar që do vija dhe tek Festivali i Këngës por nuk u bë. Për momentin do kisha më shumë krenari për të bërë gjëra në Shqipëri. Besoj se ka një treg interesant. Ka shumë njerëz këtu që duan të shohin spektakle të bukura. Do kisha qejf të bëja një bashkëpunim me baletin dhe me orkestrën. Të bëj më shumë gjëra këtu brenda shtetit, se sa t’i tregoj botës Shqipërinë në Eurovision.