“Top 5” është përballur me ndryshime të mëdha këtë javë, duke bërë që zonë e nxehtë të duket ndryshe krahasuar me një javë më parë.
Surpriza e javës ka qënë vendi i parë pasi një hyrje e re ka zënë kreun e listës dhe bëhet fjalë pikërisht për Elvana Gjatën dhe këngën e saj “Thirr”. Kjo baladë ka rrëmbyer menjëherë vëmendjen e publikut, duke u shpallur kënga më e votuar e javës.
Butrint Imeri vazhdon të jetë pjesë e zonës së nxehtë të listës pavarësisht se javën e kaluar mbante vendin e 4-të. “Phantom” është ngjitur me dy pozicione nga java e kaluar, duke u pozicionuar në vendin e dytë.
“Leje” e Yll Limanit është një tjetër këngë që publiku e ka të pamundur ta heqë nga mendja. Ndërkohë që javën e kaluar pozicionohej në vendin e 9-të, këtë javë është ngjitur me 6 vende, duke u futur sërish në treshen më të votuar.
“Fjalt e Nanes”, një ndër dedikimet më të bukura të Capital T vazhdon të prekë shumë zemra dhe këtë e tregon fakti se kjo këngë është ngjitur me 22 pozicione krahasuar me një javë më parë. Për këtë javë kjo këngë mban vendin e 4-t.
“Remix” i Elio Deejay, “Nale” është një tjetër që ka rezultuar tepër e pëlqyer nga publiku shqiptar. E kënduar nga Adriano, “Nale” shënon javën e 9-të në klasifikim dhe pozicionohet në vendin e 5-të.