E ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio, ka qenë këngëtarja e njohur Arinda Gjoni. Ajo ka folur më shumë për projektin e saj “Hajde kcejna” por jo vetëm…

Si erdhi “Hajde kcejna” dhe a e prisje që do godiste kaq shumë?

E ndieja që kam në dorë një këngë shumë të mirë, sepse mora motivin e valles mirditore që ishte luajtur nga baba im me fyell. E përpunova me beat modern me afro dance. Më kanë pëlqyer gjithmonë mikset e bukura, kulturat që miksojnë shijet artistike. Kur fillova ta punoj, më entuziazmonte shumë dhe e dija që do vlonte gjaku. Jam e fiksuar shumë me veshjet dhe i stiloj të gjitha vetë. Para se të nisesha për në Zanzibar, kisha parë vendet me veshjet dhe mora ca veshje që të përshtateshin e të godisja pak. Ishte diçka shumë e veçantë. Aty vetë vendi të bën të krijosh dhe të të hapet vizioni që të vijnë gjëra të bukura. Ia dola mirë sepse energjia pozitive e atij vendi, njerëzit dhe balerinët që vinin e kërcenin, që dëgjuan muzikën dhe erdhën e u bashkuan, ishte spontanisht shumë e bukur.

Ti vjen nga një familje artistësh, a ka qenë zgjedhja jote të merresh me muzikë apo ka qenë disi e imponuar?

Përkundrazi, nuk janë marrë fare me mua për këtë pjesë, sepse jo vetëm babai im por brez pas brezi janë marrë me muzikë. Babi im e ka vënë re i pari interesin tim për muzikën, se shkoja tek pianoja, dëgjoja kur bënte provat dhe vinin edhe fëmijë të tjerë që bënin kurs. Isha e interesuar dhe babi tha që ta provojmë njëherë se ndoshta ka zë. Ai profesor dhe e nuhaste shumë mirë këtë pjesë. Aty fillova dhe nuk u ndala më.