Edhe këtë javë, për herë të tretë tashmë, kreun e ka rrëmbyer përsëri Elvana Gjata dhe Yll Limani me bashkëpunimin e tyre “E di”. Sipas votave të publikut, ky duket se është projekti më i preferuar i 100 këngëve më të mira shqiptare në “Top Awards”.

Një tjetër bashkëpunim shumë i suksesshëm ishte ai i Butrint Imerit, Kidas dhe Ledri Vulas me “Dale”. Në ndryshim nga java e kaluar, ky projekt është rritur me një pozicion dhe është renditur në vend të dytë. Mesa duket fanat vazhdojnë ta pëlqejnë njësoj si herën e parë këtë projekt kaq veror.

Gjithashtu nuk ka ndryshuar as projekti i treshes së njohur të artistëve, Bruno, Flori Mumajesi dhe Klajdi Haruni, me këngën “Nina”. Ky bashkëpunim renditet sërish në vend të katërt në “Top 5” dhe nuk ka asnjë ndryshim nga java e kaluar.

Megjithatë, ajo që na surprizoi ishin dy prurje të reja në “Top 5” që duhet thënë se nuk e prisnim dhe aq. Bashkëpunimi që kanë sjellë Mozzik dhe Loredana “Nese Don”, është pozicionuar në vend të tretë këtë herë, me vetëm 3 javë në klasifikim. Duket se këtë projekt që dyshja e ka sjellë në gjuhën shqipe, ndryshe nga sa jemi mësuar që t’i dëgjojmë, ka goditur në shenjë pasi është rritur me 8 pozicione nga java e kaluar.

Arilena Ara me projektin e saj më të ri, “Aligator”, ka arritur të rrëmbejë zemrat e publikut duke siguruar kështu vendin e pestë në “Top 5” edhe pse një hyrje e re në “Top List”. Na mbetet të shohim se çfarë surprizash ka rezervuar për ne klasifikimi gjatë javës që do të vijë.