Muaji Maj ringjalli më në fund projektet e reja muzikore, të cilat gjatë muajve të kaluar ishin në një pauzë. Shumë artistë vendosën të nxirrnin në treg publikimet e tyre të reja, që sigurisht ka sjellë ndryshime sa i përket klasifikimit të “Top Awards”.
Po si u mbyll muaji Maj në “The Top List”
Stresi dhe projekti i tij “Loco” ishte absolutisht kënga më e dëgjuar gjatë dy muajve të fundit dhe këtë e vërteton më së miri fakti se reperi i dashur i publikut shqiptar ka qëndruar në krye të “The Top List” për 8 javë rresht.
Fundi i muajit sollli ndryshime sa i përket kreut të listës pasi për dy javë rresht projekti i shumëpërfolur i Alban Ramosaj, “I Nat Ma Fal” ka zënë vendin e parë, duke e zhvendosur “Loco” në vendine dytë.
Stresi vazhdon të jetë në zonën e nxehtë të klasifikimit me një tjetër projekt muzikor dhe bëhet fjalë pikërisht për “Two Shots”, bashkëpunimi me MKR dhe Anxhelo Koci, projekt i cili për disa javë rresht ka mbajtur vendin e dytë.
Edhe pse ka 15 javë që është pjesë e klasifikimit zyrtar të “Top Awards“, bashkëpunimi i Butrint Imerit dhe Ermal Fejzullahut, “Për një dashuri” vazhdon të jetë një ndër këngët e preferuara të publikut shqiptar, duke qëndruar kryesisht në zonën e nxehtë të listës dhe që për këtë javë mban vendin e tretë.
Një tjetër bashkëpunim i suksesshëm ka rezultuar gjithashtu “Edhe ti” e Tayna dhe Mozzik, i cili për këtë javë i është shtuar “Top 5”, duke u ngjitur me dy pozicione nga java e kaluar.
Po si ka ndryshuar “Top 50” në javën e fundit të muajit?
Sa i përket 50 këngëve më të dëgjuara të javës, duket se kanë ndryshuar krahasuar me javën e kaluar. 6 projektë kanë hyrë në “Top 50” këtë javë, duke u ngjitur me disa pozicione nga java e kaluar.
“Lule Lule” e Dafina x Lumi B, “Anna” e Nora Istrefit dhe Gjikos, “Vuj Vuj Vuj” e Dafina Zeqirit, “Labyrinth” e Loredanës, “A m’don” e Elvana Gjatës dhe “Miene Liebe” e Ardian Bujupit dhe Elvana Gjatës janë 6 këngët që ndryshe nga java e kaluar, këtë javë janë dëgjuar dhe votuar më shumë.