Edhe këtë javë, bashkëpunimi i Alban Kondit, Bojken Lakos dhe Kastro Zizos, “Mono”, vijon të jetë kënga më e dëgjuar edhe më e votuar. Votat e publikut e kanë shpallur “Mono” kryesuesen e klasifikimit të “The Top List” për të tretën javë rresht.
Ndërkohë që vendi i parë mbetet i njëjtë, “Top 5” ka pësuar ndryshime të mëdha krahasuar me një javë më parë.
Stresi vijon të ketë super sukses me projektet e tij muzikore dhe këtë javë radhën e ka bashkëpunimi i tij me Getinjo, “S’jam Dorzu”. Fansat e cmendur të dyshes kanë bërë të pamundurën që ta ngjisin këtë projekt në zonën e nxehtë të listës dhe ia kanë arritur qëllimit sepse “S’jam Dorzu” është pozicionuar në vendin e dytë, duke u ngjitur me 12 pozicione.
Kleoniki është një tjetër artiste që po korr një super sukses kohët e fundit. Projekti i saj më i ri, i dedikuar femrave, është mirëpritur nga publiku, i cili këtë javë e ka ngjitur me 12 pozicione nga java e kaluar, duke e renditur artisten në treshen më të votuar të javës.
Adriano dhe Elio Deejay vazhdojnë të votohen me “remix” të “Nale“, e cila për këtë javë renditet e katërta. Edhe pse shënon plot 15 javë në listë, “Nale” është ende një ndër këngët më të pëlqyera nga publiku shqiptar.
Pavarësisht se ka humbur tre pozicione nga java e kaluar, Eneda Tarifa vazhdon të jetë pjesë e zonës së nxehtë të klasifikimit, duke renditur në vendin e 5-të me këngën “Per ty”.