Në klasifikimin e “Top Awards” gjendet një numër i madh artistesh femra, të cilat me talentin e tyre kanë mundur të pozicionohen në vendet më favorite të klasifikimit, madje duke zënë edhe vendin e parë.

Por kush është artistja femër me më shumë vende të para në 151 javë klasifikim?

Vetë javë e 151-të përfaqësohet në krye me një femër pasi është Kida me projektin e saj më të fundit muzikor, “Merri Krejt”, ajo që mban vendin e parë këtë javë.

Artistja që ka kryesuar më shumë “The Top List” në gjithë këto javë është Elvana Gjata, projektet e së cilës kanë qëndruar për 18 javë në krye të klasifikimit.

Në korrikun e vitit të kaluar, Elvana ka kryesuar për dy javë rresht klasifkimin me projektin muzikor “Njësoj”, i cili në atë kohë rezultoi tepër i pëlqyer për publikun shqiptar.

Lejla“, kënga e cila vazhdon të jetë ende në listë dhe është kënga më jetëgjatë e klasifikimit, ka qëndruar në vendin e parë të “The Top List” për 4 javë rresht, falë votave të fansave të tre artistëve që e kanë kënduar këtë këngë, Elvana Gjata, Capital T dhe 2po2.

E shumë komentuar për karrierën e saj në tregun muzikor ndërkombëtar, “Forever is Over” ishte pikërisht kënga me të cilën Elvana iu perzantua botës. Kjo këngë, e publikuar në korrikun e vitit 2017-të, është përqafuar shumë edhe nga publiku shqiptar, i cili e ka mbajtur Elvanën në vendin e parë, për 5 javë rresht.

Në shkurtin e këtij viti, Elvana u rikthye në tregun muzikor shqiptar me një minialbum, i cili rezultoi tepër i pëlqyer për publikun shqiptar. Ky album përmbante në total 6 këngë, ku më pëlqyerat rezultuan “Me Fal” dhe “Xheloz”, të cilat kanë kryesuar listën zyrtare të “Top Awards” përkatësisht për katër dhe tre javë.

Një tjetër artistë, e cila ka kryesuar klasifikimin më shumë është Tayna. Edhe pse është një këngëtare e re në tregun muzikor shqiptar, këngët e saj janë shndërruar në më të pëlqyerat e momentit dhe kanë kryesuar klasifikimin për 10 javë. “Columbiana”, bashkëpunimi i saj me Don Phenom ka qëndruar në vendin e parë për 8 javë ndërsa kënga më e fundit, “Doruntina” ka zënë vendin e parë për dy javë rresht.

Disa prej këngëtareve që kanë qëndruar gjithashtu në vendin e parë për shumë javë janë Xhensila, Kida, Era Istrefi, Dhurata Dora etj.