A ju kujtohet kënga “Jena Na”? Ky projekt i sjellë nga Ardit Çuni dhe Vesa Smolica arriti që të mbizotëronte në shumicën e javëve të vjeshtës së vitit 2016. Edhe pse me natyrë verore dhe ritmike, kjo këngë theu pritshmëritë e atij viti sepse askujt nuk ja priste mendja që Arditi dhe Vesa do të ‘fitonin’ në krahasim me artistë të tjerë si Xhensila me “High Love” që ka qendruar për 4 javë në krye dhe Elvana Gjata me Capital T dhe 2P02 me hitin “Lejla”, gjithashtu për 4 javë.
Vjeshta e vitit 2017 ka qenë pak më e larmishme. Ka pasur shumë projekte të votuara nga publiku për të qenë në krye të klasifikimit. Qoftë projekte të sjella nga Alban Skënderaj, Ardian Bujupi apo Butrint Imeri dhe të tjerë, të gjithë e përjetuan ‘kënaqësinë’ e vendit të parë, qoftë edhe vetëm një herë. Dafina Zeqiri ka qenë pak më ‘fatlume’ nga kjo anë duke arritur ta mbajë fronin për dy javë.
Vjeshtën e vitit 2018 nuk e ndajmë dot. Ka qenë Alban Skënderaj, me 2 javë rresht në vend të parë dhe bashkëpunimi i Majk me Ylli Limanin, ata që mbizotëruan gjatë këtij sezoni. Të dy projektet kanë qenë në krye të “The Top List” me përkatësisht dy javë.
Nëse sezoni i vjeshtës i vitit 2018 ishte i vështirë për t’u përcaktuar, ky i vitit 2019 është akoma e më shumë. Këtu kanë mbizotëruar më së shumti Ronela Hajati, projekti i Vin Velit dhe Lore, si dhe bashkëpunimi i MC Kresha dhe Lyrical Son, secili me nga dy javë në vend të parë.
Që viti 2020 ishte shumë problematik për shkak të pandemisë, kjo nuk do shumë mend për t’u pranuar. Megjithatë nga ana e projekteve të mirëfillta dhe jo komerciale ka qenë jo për t’u ankuar. Thënë kjo, Bardhi, një artist jo shumë i dëgjuar më parë, shkëlqeu me këngën e tij “Betohemi”. E kush nuk e mban mend këtë këngë që e këndonim aq shpesh, sa herë e dëgjonim në sfond. Ky projekt ja ka dalë që për pesë javë të jetë në krye të klasifikimit të “The Top List”.
Tashmë kemi hyrë në vjeshtën e këtij viti. Nëse sezoni veror ka qenë shumë produktiv dhe me projekte të shumta, na duhet të presim se çfarë kanë rezervuar artistët për ne këto muaj. Gjatë verës ishte ishte një luftë mes Elvanës dhe Yllit dhe projektit të Butrintit, Kidës dhe Ledrit. Treshja ia doli që të triumfont me një fitore shumë të ngushtë. Vjeshta është e këngëve më pak ritmike dhe ne mendojmë se sezonin do ta kryesojë një projekt me nota më melankolike. Një projekt i ri i Ylli Limanit ndoshta?