Një javë e vakët me asnjë hyrje të re në klasifikimin e “The Top List”, kjo në të cilën jemi. Po ashtu një fakt i çuditshëm ka qenë dhe se renditja në Top 5 është e njëjtë me atë të javës së kaluar. Pavarësisht se në përgjithësi klasifikimi i kësaj jave ka qënë “i qetë” pa ndryshime të mëdha në renditje, ka patur edhe disa ngjitje të bujshme. Ja se për cilat bëhet fjalë…

Projekti i vjetër i Gjon’s Tears duket se nuk është lënë aspak pas dore nga fansat të cilët vazhdojnë që ta votojnë. E kemi fjalën për “Disco” që këtë javë është rritur me plot 44 pozicione.

Duke qëndruar sërish tek Gjon’s Tears, po ashtu një tjetër projekt i tij ka pësuar një rritje të madhe brenda javës. “Midnight in Paris” është rritur me 30 pozicione nëpërmjet votave të shumta të publikut.

Duket se publiku po e pëlqen mjaft anën romantike të Mato Lales. Kënga e tij e fundit që e solli me nota shumë të buta, “Dashni Ilegale”, është ngritur me 22 vende nga java e kaluar.

“Dy Buzë” e Olimpias, ka pasur të njëjtin fat si “Dashni ilegale”. Të dy këto projekte kanë 5 javë në klasifikim dhe të dyja janë rritur me 22 vende në renditje.

Për t’u ndalur më pas tek “Killing Me”, nga Alban Chela dhe Tiri Gjoci. Kjo këngë u pëlqeu shumë dhe krijoi një impakt mjaft të mirë tek publiku që javën e parë të publikimit. Dyshja e talentuar janë rritur me 21 pozicione nga java e kaluar.

Një tjetër bashkëpunim ka pësuar rritje në klasifikimin e “The Top List” këtë javë. “Mdo” nga Zaza dhe Evi Reçi është rritur me 20 vende nga hera e kaluar.