Një tjetër javë deri diku surprizuese kjo në klasifikimin e “The Top List”. Prej pak kohësh nuk kemi pasur shumë ndryshime sa i përket klasifikimit në Top 5 të projekteve më të votuara nga publiku.

Vendi i parë, për të tretën javë radhazi shkon sërish për Luiz Ejllin me këngën e tij “Me ty”, e krijuar brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”. E në fakt nuk kishte si të ndodhte ndryshe, duke qenë personazhi më i komentuar kohët e fundit kudo dhe fenomeni i “Big Brother VIP” është i pashmangshëm.

Vendi i dytë shkon sërish për Yll Limanin me projektin e tij të fundit “Ulu”. Një këngë shumë e pëlqyer nga publiku, që e kanë votuar maksimalisht çdo javë, që nga çasti i publikimit.

Në vendin e tretë qëndron sërish Aurela Gaçe me “Unike”, një këngë me një mesazh të fortë për dashurinë ndaj vetes. Surpriza e vendit të tretë është një bashkëpunim ndërkombëtar.

Noizy ka bashkuar forcat me artistët e huaj Russ Millions, Rondodasossa dhe Capo Plaza për të sjellë hitin që është e garantuar se do të na fiksojë të gjithëve, “Dancer”. Në vend të pestë me një vend më poshtë në klasifikim, renditet bashkëpunimi i Shpat Dedës dhe Edona Vatocit, “Terr”.