Ka startuar të premten në Top Channel, emisioni “Live me Luizin” nga Luiz Ejlli dhe që me puntatën e parë ka marrë mjaft komente pozitive dhe shikueshmëri të lartë.

Këngëtarin Luiz Ejlli, i cili me pjesëmarrjen në edicionin e dytë të “Big Brother VIP” bëri për vete publikun, që e shpalli fitues të padiskutueshëm, do ta shohim çdo të premte në moderim dhe krejt ndryshe nga sa e kemi pare në reality show. Në këtë përvojë krejt të re që e ka marrë me shumë përgjegjësi, Ejlli i ka vënë qëllim vetes t’i ofrojë publikut një program që bën bashkë të gjithë familjen.

“Sikurse e mbaj mend i vogël që kur vinte fundjava, mblidhej e gjithë familja bashkë para televizorit për të parë një program. E merrte babi telekomandën, e dinte që s’kishte pse e mbante në dorë se mos kishte diçka të gabuar. Ky do të jetë një emision që e shohin të gjithë, që nga fëmijët deri te mosha e tretë, të gjithë do e gjejnë veten, dikush te humori, dikush te tema, dikush te personazhi“, u shpreh ai.

Spektakël, emocione, humor, lojëra dhe muzikë, gjithçka që “Live me Luizin” ka përgatitur për publikun, mund ta shijoni çdo të premte në mbrëmje në prime time në Top Channel.