Një javë e ngarkuar dhe plot me projekte të reja muzikore ishte kjo në të cilën kemi hyrë. Le të themi që artistët paskan rënë në një mendje për të publikuar këngët e tyre.

Deri më tani kjo është java me më shumë hyrje në 323 javë që prej fillimit të klasifikimit të “The Top List”. Disa nga artistët më në zë të momentit janë në një garë shumë të fortë me njëri-tjetrin.

Pas disa bashkëpunimeve, Elvana Gjata ka ardhur tanimë solo me “Pow”. Ndoshta një nga projektet e saj më të mira që u bë hit që nga momenti i parë i publikimit. Elgit Doda nga ana tjetër ka prezantuar këngën e fundit “FL” që i jep fund trilogjisë së tij, pas “TL” dhe “Ku je”.

Mozzik vjen në listë me plot projekte të reja nga albumi i tij i fundit, “Lamboziki”. Bëhet fjalë për “A po rrin”, “Ye Ye” dhe “Patrolla & Kriminela”. Pas suksesit në bashkëpunimin me Kristi Karkanaqe, Stivi Ushe nuk humbi kohë dhe solli menjëherë projektin e tij solo “Nëse vij”.

Capital T vjen me dy projekte në një të vetëm (ashtu siç është bërë zakon tani) me “Për ty x Dy zemra”. Kjo është gjithashtu një javë rikthimi për disa artistë. 2Ton, Essto dhe grupi Humus na njohin me projektet e tyre të reja.

Dy nga ish-banorët e “Big Brother VIP”, Ardit Çuni dhe Semi Jaupaj kanë ditur që ta shfrytëzojnë mjaft mirë këtë kohë të artë suksesi për karrierën e tyre artistike. Gjithashtu këtë javë do të njihemi dhe me disa artistë të rinj, Drilona, Snovv dhe Obie Kellz, ky i fundit vjen në listë me bashkëpunimin e tij me Jonida Maliqin.