Edhe pse është një ndër festat më të kritikuar, shqiptarët vazhdojnë të festojnë ditën e të dashuruarve, Shën Valentinin, me të njëjtën kënaqësi, duke dhënë dhe marrë dashuri sikurse edhe dhurata. Nuk mund të themi me bindje nëse të gjithë artistët e festojnë këtë ditë të shënuar por një gjë është e sigurt, Shën Valentini i vë në lëvizje, duke i zgjuar nga “gjumi dimëror”, duke prodhuar kështu muzikë të re.

Por cilat kanë qënë këngët që kanë qëndruar në vendin e parë në javën e Shën Valentinit ndër vite? Nëse do të kthehemi pas në kohë, kur edhe “The Top List” mori jetë, në vitin 2016 ka qënë Mc Kresha që ka qëndruar në vendin e parë me këngën “Era”, një “remake” që u shndërrua në një hit të padiskutueshëm, e cila dëgjohet edhe sot.

Në vitin 2017, java e të dashuruarve i përkiste reperit Stresi, i cili di shumë mirë t’i këndojë dashurisë por kënga e atij viti nuk kishte të bënte me dashurinë. Bëhet fjalë për “Mos u dorzo”.

Butrint Imeri ka qënë artisti që ka kryesuar kalsifikimin e “The Top List” në javën e të dashuruarve në vitin 2018 me “Xhanëm”.

Në vitin 2019 ka qënë “Bakllava” në krye, bashkëpunimi i Butrint Imerit dhe Gjikos, një këngë që nuk ka aspak lidhje me të dashuruarit por fansat ishin ende duke shijuar shijen e bakllavasë.

Në vitin 2020 ka qenë “Piano rap” nga Ledri Vula, një këngë më shumë psikologjike për jetën.

Në vitin 2021 ka kryesuar Elvana Gjata me “Thirr”, një baladë që flet për dashurinë.

Viti 2022 i përkiste Beatrix Ramosaj me “Faj”, kënga që publikoi pas daljes së saj nga “Big Brother VIP”.