Me ardhjen e sezonit të verës, artistët janë vënë në lëvizje për të prodhuar muzikë të re, për të qëndruar sa më pranë fansave të tyre. Ndërkohë që publikohen këngë të reja, shume hite të artistëve të publikuara kohë më parë vazhdojnë ende të kenë vëmendjen e publikut dhe të votohen pafund.

Po kush janë artistët që kanë më shumë hite njëherazi në klasifikim?

Artisti me më shumë këngë momentalisht në listë është Ledri Vula, i cili gjendet me 12 këngë në total. Reperi ka vetëm pak muaj që ka publikuar albumin e tij 10/10 dhe si pasojë pjesa më e madhe e këngëve gjendet në klasifikim. Por jo vetëm kaq, Ledri gjendet në klasifkim edhe me hite të mëparëshme si “Aje”, bashkëpunimi me Tayna, “MEM”, “Kiss Kiss”, bashkëpunimi me Lumi B dhe “M’ke harru”, bashkëpunimi me Ermal Fejzullahun. Ndërsa sa i përket këngëve të albumit “10/10” janë “Prej Inati”, “10/10”, “Gjiganta”, “100”, “Kanye” dhe “Alien”. Dy bashkëpunime të tjera mjaft të suksessshme, të publikuara së fundmi dhe që menjëherë janë futur në listë janë, “DMP” me Capital T dhe “Aman” me Dafina Zeqirin dhe Lumi B.

Vendin e dytë si artisti me më shumë këngë e mban Capital T me 9 këngë në total. Artisti sapo kë përfunduar albumin e tij “Skulpture”, i cili përmban në total 15 këngë. Derimë tani reperi ka publikuar pjesën e parë të këtij albumi, që janë në total 7 këngë, ku vetëm tre prej tyre gjenden momentalisht në listë dhe janë “DMP”, “Flawles” dhe “600ps”. Këngët e tjera që vazhdojnë të jenë në klasifikim edhe pse ka kaluar disa kohë që janë publikuar, janë “”Fustani” bashkëpunimi me Elvana Gjatën, “Kujtime”, “Hala” me Majk, “Hookah”, dhe “200 dite” me TNT.

Listës së artistëve me më shumë këngë nuk mund t’i mungonte Yll Limani, i cili është shndërruar në një ndër artistët me të dashur të publikut shqiptar. Limani sapo ka publikuar këngën e tij më të re, “I kom kall”, një këngë që u rendit menjëherë në vendin e tretë, që në javën e parë të hyrjes në listë. Momentalisht Ylli gjendet në klasifikim me 7 këngë në total, të cilat janë “I kom kall”, “Engjej”, “S’ki me m’pa”, “Pse je me to”, “Krejt t’i fala”, bashkëpunimi me Majk, “Nuk po kalojka” dhe “Harrom”.

Të tjerë artistë që i bashkohen listës me më shumë këngë janë Dafina Zeqiri dhe Majk, të cilët gjendet përkatësisht me nga 6 këngë secili. Dafina ka qënë mjaft aktive në muzikë kohët e fundit, duke sjellë këngë dhe bashkëpunime mjaft të pëlqyera për publikun. Këngët me të cilat ajo është votuar më shumë për të qënë pjesë e “The Top List” janë: “Aman”, “Nje here ne jete”, “Vuj Vuj Vuj”, “Lule Lule”, “Merri krejt” dhe “Ring Ring”.

Nga ana tjetër Majk, i cili po ashtu gjendet në listë me 6 këngë, ka publikuar këngën e tij më të re “Serenate”, e cila prej 5 javësh gjendet në klasifikim. Këngë të tjera të reperit, të cilat kanë disa kohë që janë publikuar por ende dëgjohen pafund nga publiku janë: “Sa gjynah” bashkëpunimi me Butrint Imerin, “Hala” bashkëpunimi me Capital T, “Krejt ti fala” bashkëpunimi me Yll Limanin, “Sytë mu kanë qërru” dhe “Vamos” bashkëpunimi me Geasy dhe Onat.

Kida dhe Mozzik janë dy artistë të tjera që gjendët në kalsifikim me shumë këngë njëherësh dhe kanë përkatësisht nga 5 këngë secili. Ndërkohë që po shijojnë suksesin e bashkëpunimit të tyre, i cili ende nuk është bërë pjesë e klasifikimit, publiku vazhdon dëgjon dhe voton këngët e dyshes, të renditura mjaft mirë.

Këngët e Kidës që momentalisht gjenden në listë janë: “Tela” bashkëpunimi me Ermal Fejzullahun, “Moti”, Deja Vu” bashkëpunimi me Lyrical Son, “Bileta” dhe “Malli”.

Këngët e Mozzik që janë pjesë e klasifikimit të Top Awards: “Eiskalt” bashkëpunimi me Loredanën, “Madonna”, “Edhe Ti” bashkëpunimi me Tayna, “A Milly” me Dardan dhe “Zemra ime”.