Edhe pse jemi në ditët e fundit të vitit, artistët shqiptarë nuk ndalen së prodhuari muzikë, e cila ka hyrë si një uragan i vërtet në klasifikimin e “The Top List”. Një prej bashkëpunimeve më të fuqishme mund të konsiderohet ai i Florit, Ghetto Geasy dhe Brunos, “Mori”, i cila është renditur menjëherë në vendin e parë. Falë mbështetjes së madhe të fansave të tre talenteve muzikore, kjo këngë ka marrë sugjerimet maksimale, duke u shpallur kënga më e pëlqyer e javës.
Vendi i dytë është pushuar nga një tjetër prurje e re muzikore dhe bëhet fjalë për një tjetër bashkëpunim. Reperja më e përfolur e momentit, Tayna, ka bashkuar fuqitë me reperin më të dashur të publikut shqiptar, Ledri Vula, për këngën e titulluar “Aje”. Që në javën e parë të publikimit, fansat e dyshes e kanë renditur këtë këngë menjëherë në vendin e dytë.
Ndërkohë që dy projektet e reja kanë ardhur me shumë energji, Alban Skënderaj ka mundur t’i rezistojë këtij uragani me këngën e tij, “Nentor, 26”, duke u klasifikuar edhe këtë javë në zonën e nxehtë të klasifikimit. Ky projekt muzikor, i cili për tre javë rresht ka qëndruar në krye të listës, për këtë javë pozicionohet në vendin e tretë.
Sa i përket projekteve të reja muzikore, 7 të tilla i janë shtuar listës për këtë javë, ku 5 prej tyre janë bashkëpunime. Shumica e këtyre prurjeve të reja janë renditur mjaft mirë në klasifikim, duke treguar kështu që artistët kanë zgjedhur ta mbyllin këtë vit më muzikë tepër të veçantë.