Viti 2022 që lamë pas ka qenë goxha surprizues dhe shumë i ngjeshur me projekte të reja muzikore. Qofshin këto nga artistë të vjetër apo të rinj në treg.
E pikërisht tek këta të fundit do ndalemi pak. Ja se kush ishin disa nga artistët e rinj me të cilët jemi njohur në vitin 2022.
1.Leonardo Gashi është një emër jo i panjohur për publikun, por që i është bashkuar së fundmi Top Awards me projektin e tij ”Inat”. Leonardo e nisi karrierën e tij muzikore në vitin 2018 kur publikoi projektin ”Mi amor”. Viti që pasoi, 2019, ishte goxha i suksesshëm për të, ku publikoi një sërë hitesh që i dhanë një shtysë akoma edhe më të madhe.
2. Sordi Mafred, i inspiruar nga grupet muzikore si Nirvana, REM e The Doors, dashurohet pas kitarës dhe fillon të shkruajë tekstet e para të krijimtarisë së tij si kantautor. Krijimtaria muzikore e artistit influencohet edhe nga udhëtimi i tij që nis nga vendi i lindjes Tirana, Firenze (Itali) dhe Boston (USA) ku dhe sot banon. Që në moshë të re, Sordi Manfred e gjen veten në shoqërinë e shumë artistëve me të cilët performon ‘cover songs’ nëpër evente të ndryshme muzikore, dhe sot me shumë kënaqësi pranon të ndajë me publikun këngën e parë të koleksionit të tij muzikor, këngën “Drops of Rain”.
3. Genvis Muça, i lindur në Shkodër më 30 Maj 2000 dhe rritur në Bruksel, Belgjikë, është një producent dhe DJ shqiptar. Ai nisi karrierën e tij në muzikë në moshën 14-vjeçare. Shumë shpejt ai pati sukses me remixe të këngëve shqiptare. Ai tashmë menaxhon ekipin “Electronic Music Albania”, ku ka në përbërje një grup të madh producentash të rinj shqiptarë.
4. Franc Koruni ka kënduar që në moshë të vogël dhe në repertorin e tij numërohen mbi 10 këngë, mes të cilave dhe pjesmarrje në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar. Artisti ka studiuar për Filozofi dhe më pas vijoi dhe studimet master.
5. Dilan Reka, i njohur me emrin artistik Dylan, ka lindur në Tiranë më 22 Janar 1998. Fillimet e tij të para artistike i ka pasur në Festivalin Çelësi i Artë, e më pas në festivale të Tiranës, Shkodrës dhe diasporës vlerësuar me çmime të para dhe publiku. Artisti u vlerësua si një prej zërave më të mirë të ardhshëm të muzikës Trap RnB në X Factor Albania ku arriti të dilte dhe në finale në Top 3.
6. Albora Stafuka ka lindur në Fushë-Krujë më 24 Mars 1994. Pasioni i saj për muzikën ka nisur të paktën që kur ajo ishte ende 4 vjeçe. Karriera e saj muzikore ka filluar në vitin 2019, në moshën 25-vjeçare, kur publikoi këngën e saj të parë. Megjithatë, ajo u bë më e njohur për publikun nga kënga e dytë në bashkëpunim me Stresin. Në repertorin e Alborës ka 5 këngë, ku e fundit është “HALA”, që bëri që ajo të ishte pjesë e artistëve të Top Awards.
7. Shkumbin Krasniqi, i njohur me emrin e tij artistik KRAS, është një këngëtar i ri në tregun muzikor, por jo i ri në muzikë. KRAS duke mos e lënë asnjëherë dashurinë e tij ndaj muzikës e cila për të është primare dhe jetësore, filloi që talentin e tij këndimin, ta shfaqte edhe jashtë qytetit të tij. Kështu ai krijoi video të njohura, ndryshe si covera e duke i publikuar pastaj në rrjetet sociale si në Instagram e të tjera.
8. Akrepi, emri i vertetë i të cilit është Evis Nako, lindi në qytetin e Kavajës. Ai njihet si një nga artistët e parë të Hip Hop-it të mirëfilltë në trevat shqiptare. Tekstet e tij bazohen shpesh në histori reale dhe prekin tema sociale.
9. Edona Reshitaj është një artiste nga Kosova, aktore dhe këngetare. Ajo punon në Teatrin Kombëtar të Kosovës si aktore e trupës rezidente. Ka një përvojë të ngjeshur në teatër, film, seriale dhe TV. Muzika është një mjet të cilin ajo e përdor për të reflektuar në shoqëri, përmes kauzave të ndryshme, protestës, revoltës, nderimit, argëtimit e kënaqësisë. Edona njihet për një trajtim të veçantë të muzikës së vjetër shqipe, duke i rikthyer ato në stile të muzikës jazz, gipssy dhe eksperimentale.
10. Dopamin është formuar në verën e vitit 2019. Rryma e grupit mund të përkufizohet në Rock/Alternative/Metal. Pjesëmarrës në shumë evente, live-e dhe koncerte të ndryshme. Dopamin u krijua për një qëllim, për të shprehur shqetësimet sociale/psikologjike që ndikojnë në shoqëri për çdo drejtim të gabuar të politikës dhe familjes. Si ndikojnë të gjitha këto në shoqëri, sociologjikisht dhe psikologjikisht.