Një emër i ri i shtohet listës së këngëve më të mira shqiptare për këtë javë. Është pikërisht KRAS. Ai ka publikuar këngën e tij më të fundit që mban titullin “Rrëfime”, një këngë e ndjerë që të jep përshtypjen se është mjaft personale për vetë artistin.

Shkumbin Krasniqi, i njohur me emrin e tij artistik KRAS, është një këngëtar i ri në tregun muzikor, por jo i ri në muzikë. Filloi që fëmijë të hidhte hapa drejt pasionit të tij për këndimin duke u bërë pjesë e programeve shkollore dhe të qytetit ku KRAS ka lindur dhe është rritur, në Mitrovicë. Pastaj për t’u perfeksionuar më shumë në muzikë, KRAS filloi edhe mësimet e tij muzikore në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në instrumentin e violinës. Por KRAS si një shpirt luftarak dhe shumë punëtor dhe kërkues, ai vazhdoi të provonte gjëra të reja, duke promovuar talentet e tij të tjeta përveç këndimit. Vallëzimi ishte një pasion dhe talent tjetër i këngëtarit, ku ai provoi veten e tij në këtë fushë të artit, duke u bërë kështu pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të qytetit të Mitrovicës.

Por jo e gjithë kjo e plotësonte shpirtin e KRAS. Ai po ashtu ka dëshmuar edhe përmes intervistave se oratoria e tij dhe mënyra ose paraqitja e tij skenike e cila është për t’u duartrokitur, vijnë si pasojë e përvojës së tij televizive në njërin prej televizionsve të Kosovës për 7 vite resht si moderator i një emisioni. KRAS duke mos e lënë asnjëherë dashurinë e tij ndaj muzikës e cila për të është primare dhe jetësore, filloi që talentin e tij këndimin, ta shfaqte edhe jashtë qytetit të tij. Kështu ai krijoi video të njohura, ndryshe si covera e duke i publikuar pastaj në rrjetet sociale si në Instagram e të tjera.

Afërsisht 6 vite të tjera KRAS punoi në këtë drejtim deri para 2 viteve ku edhe debutoi me këngë të tijën origjinale në festivalin e Këngës Magjike në edicionin e vitit 2021 me këngën “Bekuar”, këngë e punuar nga kantautoret e njohur Flori Mumajesi dhe Bruno. Me projektin “Bekuar”, KRAS arriti të rrembejë zemrat e publikut si dhe ia doli të arrijë deri në finale. Pas suksesit të arritur me këngën “Bekuar”, ai bëri një pauzë për t’u rikthyer përsëri me këngën e dytë. ”Rrëfime” riktheu KRAS në muzikë, një këngë kjo e punuar nga producenti Gëzim Lazri dhe teksti i shkruar po nga ai, ndërsa për videoklipin është kujdesur Imagine Films.