“Lufta” për të qënë sa më në majë të klasifikimit vazhdon edhe këtë javë në “The Top List”. “Top 5” është përballur me ndryshime të mëdha përveç vendit të parë që mbetet i njëjtë me javën e kaluar.

Ronela vazhdon të mbetet kënga më e preferuar dhe e votuar nga ana e fansave, duke e renditur për të dytën javë rresht në vendin e parë. Stili i veçantë i Ronelës në këtë projekt është përqafuar shumë nga publiku shqiptar, duke bërë që artistja të renditet në krye të “The Top List” për herë të parë falë “MVP”.

Një super sukses këtë javë ka korrur bashkëpunimi me i ri në treg dhe bëhet fjalë për “Tonight” e Vin Veli dhe Lorè. Kjo prurje muzikore, për të cilën është dashur më shumë se një vit punë, ka arritur të rrëmbejë menjëherë zemrat e publikut shqiptar, duke u votuar pafund në klasifikim. Falë mbështetjes së fansave, “Tonight” është pozicionuar në vendin e dytë, duke u ngjitur me 18 pozicione nga java e kaluar.

Në vendin e tretë renditet “Bye Bye” e Tayna dhe Dafina Zeqirit, duke treguar qartë se fansat vazhdojnë ta dëgjojnë ende një prej bashkëpunimeve më “cool” të kësaj vere. Edhe pse ka 8 javë që gjendet në listë, “Bye Bye” ka ende vëmendjen e publikut.

“Pasite” është rikthyer sërish në një prej këngëve më të preferuara të momentit dhe këtë e vërteton më së miri rikthimi i saj në “Top 5”. Bashkëpunimi i Tayna, Mc Kresha dhe Lyrical Son është ngjitur me 4 pozicione nga java e kaluar, duke u renditur në vendin e 4-t.

Pavarësisht se ka humbur dy pozicione nga java e kaluar, “E Theve” e Inis Nezirit vazhdon të jetë pjesë e 5-shes më të dëgjuar të momentit. Inis Neziri ka plot 21 javë që është bërë pjesë e klasifikimit me “E theve” por pavarësisht kësaj, ajo ende vazhdon të dëgjohet dhe votohet nga publiku.