Një javë e ngarkuar dhe plot me projekte të reja muzikore ishte kjo në të cilën kemi hyrë. Le të themi që artistët paskan rënë në një mendje për të publikuar këngët e tyre.
Deri më tani kjo është java me më shumë hyrje të reja për vitin 2023. Këtë herë kemi plot 10 projekte të reja që i shtohen klasifikimit të “The Top List”.
Teksa ndoshta jemi mësuar që stina e verës të jetë e mbushur me projekte, këtë javë në fakt jemi surprizuar. Vitin 2023 duket sikur i ka frymëzuar artistët tanë të cilët na kanë argëtuar me këngë të zhanreve të ndyshme. Ja se cilat ishin projektet me të cilat jemi njohur këtë javë…
Olimpia vjen me projektin e saj më të ri titulluar “SMR”, një shkurtim për tri fjalët: Sex, Money, Rock ‘n Roll, të cilat janë tematikat për të cilat flitet dhe plotësojnë krijimin e kësaj kënge. Elgit Doda dhe Klodian Kodra kanë sjellë së bashku vazhdimin e këngës “TL”, e cila u bë mjaft e njohur nga edicioni i parë i “BBVA”. Edhe Lumi B ka publikuar një këngë solo, titulluar “Cili je ti” dhe sjell artistin në zhanerin e tij karakteristik.
Nora Istrefi nuk zhgënjen kurrë dhe këtë e provoi edhe njëherë me publikimin e këngës së saj më të fundit, “Amanet”, me një melodi mjaft të bukur dhe me tekst mjaft kuptimplotë. Elai nuk ndalet këtë vit me publikimin e këngëve, të cilat janë kthyer menjëherë në një hit, edhe falë platformave të ndryshme sociale. Projekti i tij më i ri titullohet “Krenari”. Auron Deva ka sjellë gjithashtu këngën e tij të parë zyrtare, “Opera”, dhe bëhet pjesë e kësaj jave në listën tonë.
Pas disa muajve pauzë, Jonida Maliqi rikthehet fuqishëm me një këngë mjaft energjike, ku këngëtarja ka vendosur ta titullojë “Do apo Nuk do”. Ari Blue, siç njihet ndryshe si Ariana e “BBV”, ka sjellë projektin e saj të parë pas daljes nga shtëpia, “Ti”. Gjithashtu, edhe Kida ka publikuar “Leje”, një këngë me mjaft emocione, që i dedikohet ndarjeve në çift. Si hyrje të re këtë javë kemi dhe artistin e ri Krenar, ku ai vjen me “Mrena Nates”.
Por kjo nuk është java me më shumë hyrje të reja në klasifikim. Rekordin, në fakt, e mban java e 323 e klasifikimit të “The Top List”, ku ka pasur plot 19 hyrje të reja.