I ftuar në emisionin Lancio ka qenë Krenar, një nga artistët më të rinj të tregut muzikor shqiptar. Ai është një këngëtar nga Prishtina, i cili po hedh hapat e parë drejt rrugës së suksesit në muzikë. I pyetur se si ka qenë rrugëtimi i tij në industrinë muzikore, ai u përgjigj:

Profesionalisht kam një vit që merrem me muzikë. Në nëntor bëhet viti që kam lancuar këngën time të parë. Ko se nuk kam qenë më përpara i qartë se çfarë doja të bëja, por unë kam qenë shumë i mirë në shkollë dhe kam studiuar matematikë. Çdokush rreth meje donte që të unë të merresha me matematikë e të bëhesha profesor, por tani unë kam zgjedhur një rrugë tjetër. Muzika është diçka që më fle në shpirt dhe erdhi një moment ku nuk mund të ikte kurrë. Shikoja performanca, në televizor ose live, dhe gjithmonë doja që të isha unë në skenë dhe më pas nuk mund të ikja më.

Krenari është momentalisht i fokusuar në krijimin e projekteve për industrinë muzikore shqiptare, por i pyetur nëse do të investohej edhe në atë ndërkombëtare, ai u shpreh:

Unë e kam filluar këtu, por mendoj që sa më lart të ëndërrojmë, aq më lart do ta vazhdojmë rrugën, kështu që pse jo të mos tentoj edhe andej. Amerika është kulmi i tregut muzikor. Besoj që gjithësecili që e nis, e ëndërron atë gjë. Dhe do kisha dashur të isha edhe unë pjesë e saj.

Kënga e tij më e re titullohet “My Love”, e cila është bërë gjithashtu pjesë e “The Top List”. Ajo flet për dashurinë dhe ndjesinë e bukur që ajo krijon. Mesazhi në dukje është i kuptueshëm, por artisti foli edhe më shumë në lidhje me realizimin e këtij projekti.

Kënga “My Love” është bërë për të dhënë një energji të mirë gjatë dëgjimit dhe ka një tekst shumë pozitiv që është një shprehje ndaj një personi. Muzikën e ka krijuar Cricket, me melodi nga Ada dhe tekstin e ka krijuar Elinel, që për mua janë një treshe fantastike dhe me mua bëhemi katërshja fantastike.