Padyshim që disa artistë kanë dalluar nga të tjerët këtë sezon veror duke pasur shumë projekte të sukseshme. Ka patur dhe nga ata që nuk janë mjaftuar vetëm me një hit, por e kanë argëtuar publikun me disa këngë të publikuara. Por cilët janë ata artistë që dallojnë me më shumë se një projekt në Top 20?
Në këtë listë kryeson Dafina Zeqiri me plot pesë këngë në Top 20. Këngëtarja ka qenë shumë produktive këtë sezon dhe ka publikuar disa hite që janë shumë të suksesshme. Më lart qendron “Mos Shko” që renditet në vend të 11-të të klasifikimit. Më pas vijnë rresht në renditje “Pa Ty” në vend të 12-të që është nga më të pëlqyerit e publikut, projekti i saj më i fundit me Lyrical Son “Llafe Llafe” në vend të 13-të, “Japa” në vend të 14-të dhe në fund projekti më i veçantë i saj “Happy Birthday” në vend të 18-të.
Ledri Vula qendron me tre projekte në Top 20. Më lart qendron bashkëpunimi me Butrint Imerin dhe Kidan “Dale” që këtë javë kryeson “The Top List”. Një tjetër bashkëpunim, kësaj here me Majk, “Marr” renditet në vend të 8-të dhe projekti i tij “Don Mo” në fund të Top 20, pra në vend të 20-të.
Elvana ka korrur gjithashtu shumë sukses këtë verë. “E di” në bashkëpunim me Yll Limanin ka rezultuar një nga më të preferuarat e publikut dhe ka qendruar për tre javë në krye të “The Top List”, por këtë javë nuk e mbajti dot fronin duke zbritur në vend të 2-të. “Loti” ka qenë gjithashtu shumë i preferuar prej disa javësh dhe renditet në vend të 9-të dhe “Kunadhe” në vend të 17-të.
Yll Limani përveç bashkëpunimit me Elvana Gjatën, “E di”, ka dhe dy projekte të tjera në Top 20. “Mos Shko” me Dafina Zeqirin renditet në vend të 11-të dhe “Ndoshta” në vend të 19-të.
Ndërsa Cricket vjen me dy bashkëpunime në Top 20. “Pa Ty” me Muma dhe Dafina Zeqirin në vend të 12 dhe “Ndoshta” me Yll Limanin në vend të 19-të.