Votat e publikut kanë bërë që kjo javë të mos jetë edhe aq e qetë sa i përket pozicionimit të këngëve në listë. Janë rreth 10 këngë në klasifikim që janë futur në grupin e këngëve që janë ngjitur me më shumë pozicione në “The Top List”.
Projekti muzikor që ka marrë më shumë vota, duke u ngjitur me 93 pozicione është “Sytë mu kanë qerru” e Majk, e cila për këtë javë mban vendin e 7-të. E publikuar vetëm javën e kaluar, kjo këngë e Majkut ka rrëmbyer zemrat e publikut këtë javë.
Kënga e dytë që është ngjitur me më shumë pozicione është bashkëpunimi më i ri Azet dhe Dhurata Dorës, “Lass Los”. Në javën e dytë të hyrjes në listë, kjo këngë është ngjitur me 54 pozicione, duke u renditur në vendin 44-t.
Loredana është një tjetër artiste, këngët e së cilës janë dëgjuar pafund këtë javë. “Eiskalt” dhe “Labyrinth” janë dy këngët që janë dëgjuar dhe votuar këtë javë, duke u ngjitur me 20 dhe 22 pozicione krahasuar me javën e kaluar, duke u renditur përkatëisht në vendin e 53-të dhe 70-të.
Pavarësisht se ka 17 javë që gjendet në klasifikimin e “Top Awards”, “S’ki me m’pa” e Yll Limanit vijon të mbetet e preferuara e publikut. Falë votave të fansave, ky projekt muzikor pozicionohet në vendin e 12-të, duke u ngjitur me 15 pozicione nga java e kaluar.
Tayna dhe Dafina korrën një super sukses në kohë e publikimit të bashkëpunimit të tyre të parë “Bye Bye”, i cili ende vazhdon të jetë një ndër këngët e preferuara të publikut. Vetëm këtë javë kjo këngë është ngjitur me plot 17 pozicione nga java e kaluar, duke u renditur në vendin e 19-të.
Mozzik është një ndër artistët që është votuar më së shumti këtë javë. Dy këngët e tij, “Zemra ime” dhe “A Milly” kanë marrë mjaft vota këtë javë, duke u ngjitur përkatësisht me 11 dhe 18 pozicione krahasuar me një javë më parë.
Edhe pse ka publikuar projektin e tij më të ri “Loco”, Stresi vazhdon ende të dëgjohet dhe votohet me “Two Shots”, bashkëpunimi i tij me MKR dhe Anxhelo Koci, i cili gjatë kësaj jave është ngjitur me 15 pozicione, duke zënë vendin e 64-të.
Bashkëpunimi i Geasy, Majk dhe Onat, “Vamos“, i cili këtë javë shënon 41 javë në klasifikim, ka pësuar një ngjitje prej 13 pozicionesh, duke u renditur në vendin e 51-të.