Dy nga artistët më të talentuar dhe me zërin më të veçantë janë bërë bashkë për të sjellë një projekt të ri. “Terr” titullohet projekti i ri i Shpat Dedës dhe Edona Vatocit që është bërë pjesë e “The Top List” këtë javë.
Shpat Deda, një emër që të gjithë e njohin dhe e admirojnë sepse arriti të hyjë në brendësinë e çdo të riu duke përcjellë tek ata tingujt e muzikës me kitarë që i krijon vetë. Nga ana tjetër me Edonën jemi njohur në “The Voice of Albania 2” dhe pas kësaj u bë mjaft aktive në muzikë me projekte të rrymës elektronike, indie, rock e të tjera.
Një bashkëpunim mes këtyre dy artistësh ishte ajo që na duhej në këtë kohë. Kjo këngë është bashkëpunimi i parë i këtyre dy artistëve dhe duhet thënë që goditën në shenjë. “Terr” ka tekst dhe kompozim të Shpat Dedës, ndërsa Edona Vatoci e ka shkruajtur tekstin në strofën e saj. Projekti e ka renditur dyshen në vend të 28-të për këtë javë.