Këtë javë jemi përballur me surpriza të mëdha për sa i përket klasifikimit në “The Top List”. Kreu i kësaj jave shkoi për baladën e ndjerë të Arilena Arës, të titulluar “Ke me mungu”, e cila bëri debutimin në listën e 100 këngëve më të mira shqiptare vetëm javën që shkoi.

Një projekt ky që edhe pse në fillim u pa paksa me skepticizëm, arriti që të thyejë çdo pritshmëri dhe të korrë suksesin e merituar. Por për sa kohë do të mundi Arilena që të gëzojë fronin? Na duhet të presim deri të shtunën e ardhshme për të zbuluar se me çfarë surprizash të tjera do të hasemi.

Nga ana tjetër, për sa i përket Top 5, në vend të dytë pozicionohet Shpat Deda dhe BimBimma me “N’dikon ndikon”, 3 vende më lart nga java e kaluar. Vendi i tretë shkon për Elhaida Danin me “Zanin”, e cila javën e kaluar ishte në krye të listës. Capital T me “Valle” qendron në vend të katërt dhe Adriano në vend të pestë me “Por favor”.