menu

Flori, Ghetto Geasy dhe Bruno rimarrin kreun


Ora: 11:50 Datë: 13/01/2019

Që në momentet e para të publikimit, ky bashkëpunim premtoi shumë dhe fansat e treshes së njohur Flori, Ghetto Geasy dhe Bruno, nuk u zhgënjyen aspak.

“Mori”, e cila ka katër javë që ka dalë në treg, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, duke rrëmbyer vendin e parë, pas dy javësh mungesë. Falë votave të shumta nga ana e publikut, kjo këngë, e cila renditej në vendin e tretë, këtë javë ka marrë gjithë mbështetjen e nevojshme për t’u rishpallur kënga më e dëgjuar e javës.

Flori ka qënë tepër aktiv së fundmi me projektet e tij muzikore, duke sjellë bashkëpunime dhe këngë “solo”, të cilat si gjithmonë nuk kanë zhgënjyer publikun shqiptar. Kantautori gjendet në klasifikim edhe me tre projekte të tjera muzikore, “Ja ke bo vetes”, “Dashni me raki” dhe “Trendafil”, të cilat renditen përkatësisht në vendin e 27-të, 48-të dhe 66-të.

Vetëm një hyrje e re i është shtuar klasifikimit për këtë javë dhe bëhet fjalë për bashkëpunimin e Samantës me Elinel, “Vone”, i cili për këtë javë mban vendin e 100-të. Duket se artistët po shijojnë një fazë qetësie pas periudhës së ngarkuar të festave.

Si kënga që është ngjitur me më shumë pozicione këtë javë është publikimi më i ri i Kidës, “Ka je”, e cila është ngjitur me 42 pozicione, duke zënë vendin e 15-të.