Pasi u prit goxha mirë nga publiku me këngën e tij “Nale”, si dhe versionin remix në bashkëpunim me Elio Deejay, Adriano vjen me një tjetër projekt që premton po të njëjtin sukses. “Por favor” titullohet kënga e tij më e re, e cila i është bashkëngjitur “The Top List”vetëm një javë më parë dhe renditet në vend të 5-të. Së fundmi Adriano ka qenë i ftuar në studion e “Wake Up” për të diskutuar më shumë mbi këtë këngë, por jo vetëm.

Si lindi ideja e “Por favor”? A ishte një dedikim për dikë?

Jo këtë herë (qesh). Në fakt ka qenë për një lidhje toksike dhe e vetmja gjë që ngel pas fjalëve janë puthjet dhe çdo gjë tjetër, nuk ka më vend për fjalë. 

Adriano është ndalur pak dhe tek teksti dhe realizimi i këngës:

Me tekstin është marrë dikush që nuk do që t’i dalë emri. Ndërsa për vijën melodike jam marrë vetë, siç jam marrë dhe për këngët e tjera.

Këngëtari duket paska më i përfshirë në këtë këngë në krahasim me të tjerat.

E saktë, por besoj se e kam ndjerë dhe unë këtë tekst dhe muzikë dhe besoj që kjo më ka bërë që të përfshihem më shumë edhe në klip.

A mendon se do të jetë “Por favor” po aq e suksesshme se kënga e mëparshme “Nale”?

Nuk është se jam sur me këto pritshmëri të them të drejtën, sepse në muzikë është më mirë të mos kesh pritshmëri. Thjesht të shpresosh që të gjithë ta dëgjojnnë me atë vesh që ti e ke dëgjuar apo ti e ke krijuar. Realisht shpresoj që ta arrijë “Nale”, ose pse jo ta kalojë. Por ajo është dashuri më vete për mua. 

Si kanë qenë komentet për këtë këngë të re?

E kanë pëlqyer shumë, por edhe kanë thënë që është pak më dryshe nga çdo gjë që kam bërë deri më tani. 

Ke marrë ndonjë kritikë?

Normal, ka dhe kritika sepse janë mësuar me atë muzikën që kam bërë më parë dhe duan të dëgjojnë po të njëjtën gjë. Por një artist duhet të evulojë.

A ka ndonjë mesazh që të ka lënë mbresë të veçantë?

Zakonisht janë femrat që nuk e pëlqejnë. Nuk u pëlqen kjo lloj teme. Iu duket seksiste, por realisht nuk është. Është diçka që ndodh mes çifteve. Iu duket seksiste mënyra se si e kam trajtuar femrën në klip. Por gjithsecili ka mendimet e veta.

Adriano pretendon se refreni i këngës së tij është kopjuar nga Besa me këngën e saj “Amor”. Si e kuptoi ai këtë gjë?

E kuptova kur dëgjova këngën. Realisht nuk i kam hyrë më thellë sepse mendova që ndodh, mund ta quaj edhe inspirim. Ose mund ta bësh edhe pa qenë konshient. Mund ta dëgjosh një muzikë, të pëlqen dhe në studio e krijon dhe nuk e kupton që ka ndodhur nga një këngë tjetër. Por që vija melodike është shumë e ngjashme, refreni, ai fillimi.

Ke menduar që të flasësh me Besën dhe t’i thuash?

Nuk është se e kam menduar kaq serioze. Nuk mund ta quaj vjedhje sepse nuk është. 

Meqënëse keni të njëjtën shije në muzikë, a mund të ndodhë që të bëni një bashkëpunim?

Pse jo, unë i hapur jam gjithmonë për bashkëpunim. Patjetër edhe nga Besa. Është kënaqësi.

Duke qenë se ka studiuar për kanto, sa e sheh ai veten tek muzika operistike?

Unë në fakt me atë po merrem momentalisht. Po bëj ‘vocal coaching’ për opera dhe po mundohem për në Gjermani ose në Francë, ku janë këto bazat e operas. Por edhe nuk dua që ta përjashtoj muzikën me të cilën po merrem, që po krijoj. (Po investohem) më tepër tek opera. Ka evoluar të jetë pasioni im kryesor. Besoj se këtu ka të bëjë edhe mënyra se si e sheh imazhin tënd edhe besoj që kjo ka ndikuar shumë që unë ta shoh veten si një këngëtar operistik në të ardhmen.

Ke gati ndonjë këngë tjetër tani afër?

Kam gati një këngë që realisht e dashuroj, e kam si të preferuarën time. Është afër me “Nale”. Deri diku është personale. Është një histori e imja. Edhe vija melodike është shumë e ndjerë me kohën kur ka ndodhur.
… Ma kanë thyer zemrën (qesh). Kur ndodh kjo që thyhet zemra, unë në subkonshiencë jam dhe i lumtur se them se mund të vijë një këngë e mirë.