I ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike për emisionin “Lancio” në Top Albania Radio, ka qenë artisti La Fazani, për të folur më shumë për projektet e tij të fundit muzikore por jo vetëm…
Kënga “A e din ti kush jom une?” ka arritur që të jetë edhe në vend të parë të “The Top List”. Kur një këngë me një identitet kaq specifik arrin në majë të klsifikimit, çfarë do të thotë kjo për publikun shqiptar? A është më i hapur ndaj gjërave alternative apo ke ndonjë teori tjetër?
Sa herë që mundohem ta analizoj, gjithmonë ndodh diçka që ma kontradikton atë analizë. Është shumë e vështirë ta kuptosh. Ndonjëherë thjesht janë disa këngë që janë krijuar që të munden të rezonojn. I kam pasir disa këngë të tilla në karrierë që kanë mundur të kapin një publik më të gjerë. Nuk është se është qëllimi im kryesor si artist, nuk është se çdo këngë që e shkruaj e ka atë qëllim. Por ndonjëherë kënga e ka atë magjinë që penetron pa marrë parasysh çfarë stili është ose pa marrë parasysh prej kujt vjen. “A e din ti kush jom une?” thjesht e ka pasur një ritëm që i ka bërë njerëzit të ndihen mirë, të ndihen ‘free’, ka dalë në fillimet e verës, i është përshtatur momentit dhe e ka pasur shumë ‘catchy’ refrenin.
Si erdhi kjo këngë, a lindi si ironi?
Fillimisht ka lindur si ironi se si shumica e njerëzve e ndërrojnë qasjen në jetë, i fitojnë 10 mijë followers dhe mendojnë se s’kanë më nevojë ta kthejnë asnjë përgjigje kur u shkruan. Në përgjithësi ne jemi një popull që e kemi një ego ‘fragile’ mund të them. Fillimisht kam dashur që të bëj një këngë që do e ketë refrenin “A e din ti kush jom une?” dhe ta ironizoja pak këtë shprehjen. Por pastaj evoloi në diçka tjetër që e përmban edhe këtë idenë fillestare, por evoloi në një këngë dashurie.
Në këngët e tua bën më shumë shaka apo kritikon shoqërinë?
Është pikërisht aty në mes. Unë kam zbuluar se mënyra më efikase për të bërë kritikë shoqërore, është që të përdorësh humorin dhe satirën. Nëse nuk përdor humorin dhe satirën mund të tingëllosh sikur po predikon dhe se po e merr shumë seriozisht dhe kështu është e vështirë për të depërtuar tek një njeri tjetër.
Çfarë është një kritikë që do i bëje ti shoqërisë shqiptare?
Ne si shoqëri kemi punë për të bërë, për të bërë veprimet që ne i flasim. Nga njëra anë shajmë politikanët, por pastaj vetë shkojmë e shkatërrojmë natyrën. Hipokrizia dhe mungesa e përgjegjësisë që kemi në veprime. Kjo është diçka që sa herë e shoh ma kap syrin. Dhe në fund të ditës jo e vërteta më bezdis.