Adriano është një ndër artristët më të talentuar të tregur muzikor shqiptar dhe më të pëlqyer të publikut. Mbrëmjen e kaluar ai ka qenë i ftuar në studion e “Lancio” në Top Albania Radio, ku ka rrëfyer më shumë për hapat e tij të karrierës artistike si dhe mbi projektet e tij. Adriano në fakt ka studiuar për opera dhe lidhur me këtë ai shprehet:

Momentalisht po merrem me opera, me kanto. Unë kam studiuar kanto, si bariton. 

Por si lidhet zëri i tij bariton me stilin e këngëve që Adriano ka sjellë në treg?

Zëri do gjë tjetër, kurse shpirti do gjë tjetër (qesh). 

Sa kohë ka Adriano që merret me muzikë?

Kam diku tek 10 vjet që merrem me muzikë profesionalisht. E kam filluar tek “MAX Production”, ku fillimisht kam qenë asistent-producent dhe si artist. Kam pasur shumë demo atje që nuk janë publikuar. Madje një ka qenë me Fifin. Ka qenë shumë e bukur por fatkeqësisht nuk u realizua sepse unë u largova. 

Çfarë mendon ai se t’i mbyllë dyert e karrierës në Shqipëri?

Të shohin direkt si produkt. Dhe unë e kam pasur të vështirë që ta përshtas veten me të qenurit produkt. Gjithmonë e kam parë veten që në muzikën që bëj, të jem unë, të jetë personaliteti im. Dhe kjo ka qenë pak e vështirë sepse normalisht të duhet diçka e përshatur për tregun që të eci. Besoj se ky ka qenë motivi i parë. Ka qenë dhe pjesa që unë jam marrë shumë si producent, pastaj si artist. Ndërsa kohët e fundit i jam dedikuar më shumë pjesës si artist.

A pendohet Adriano që nuk ka bërë ndonjë kompromis lidhur me bashkëpunimet në të kaluarën, që sot mund të ishin të suksesshme?

Po të më pyesje para 5-6 vitesh, po. Por tani jo. Tani e shoh më shumë si pasion dhe e trajtoj si hobi. Thjesht kam idenë që të bëj atë që dua dhe ato pak fansa t’i kem vetëm për muzikën time. 

Ndërkohë Adriano ka sjellë së fundmi projektin e tij më të ri të titulluar “Ora 3”. Lidhur me të ai shprehet:

Ora 3 është gjithmonë orë vuajtjeje, se nuk besoj se zgjohet dikush në orën 3 dhe ta ketë nga qejfi. Është pak dedikim. Por ka kaluar tani dhe nuk dua ta kthej. Jo dedikim për një person, por për gjendjen që kam pasur në atë kohë. Thjesht doja ta hiqja nga vetja dhe kur e dëgjoj tani them: “Mos e dëgjo. Nuk është mirë ta dëgjosh.” Ndonjëherë them me vete “vuaj që të nxjerrësh ndonjë gjë të mirë”. Se unë po nuk vuajta nuk nxjerr ndonjë gjë të bukur. Përveç “Por favor” që nuk e di se si ka dalë. 

Lidhur me projektet e tij të reja, Adriano thotë:

Një nga ato është që e dua shumë si këngë, vuajtje edhe kjo. Por mos u shqetësoni sepse para kësaj do të vijë një më e lumtur.

Adriano është në listën e 100 këngëve më të mira shqiptare në “The Top List”, Top Awards me projektin e tij “Por favor”. Kjo këngë renditet në vend të 10-të të klasifikimit.