Padyshim që të gjitha artistet e “The Top List” janë shumë të suksesshme dhe të talentuara. Megjithatë disa prej tyre kanë pasur disa këngë më shumë se të tjerët në klasifikimin e “The Top List”. Por cilat janë ato?

1.Elvana Gjata është një nga artistet më të vjetra në klasifikimin e “The Top List”. Kënga e saj e parë në renditjen e këngëve më të mira shqiptare ka qenë “Njësoj”. Pas kësaj u pasua nga bashkëpunimi aq shumë i suksesshëm me Capital T dhe 2Po2, “Lejla”. Më pas albumet e këngëtares, si “3” apo “Çelu” i siguruan asaj menjëherë disa pozicionime në listë, ku të gjitha këngët e saj u votuan për të hyrë në klasifikim.

2. Dafina Zeqiri nga ana tjetër ka qenë një nga ato artiste që çdo këngë e saj ka bërë bujë dhe ka arritur suksesin e dëshiruar tek publiku, duke bërë kështu që thuajse çdo këngë e saj të votohet për t’u futur në “The Top List”. Të mos harrojmë që ky vit ka qenë shumë frytëdhënës për Dafin, ku ajo publikoi albumin e saj të ri “Dafinë Moj”, me bashkëpunimin e artistëve më në zë, si dhe shumë këngë të cilat kanë bërë namin. Përmendim këtu “Llafe llafe”, “Japa”, “Happy birthday” dhe hitin e padiskutueshëm “Pa ty”.

3. Xhensila Myrtezaj e nisi rrugëtimin e saj në “The Top List” me “High Love” e pas kësaj u ndoq nga “Uh Baby”, kënga aq shumë e dashur për publikun në bashkëpunim me Kida. Xhensila gjithashtu numëron një sërë projektesh të tjera, qofshin ato bashkëpunime apo solo, “Paris” apo “Panorama”.  Së fundmi ajo është pjesë e listës me dy bashkëpunime, “Prit pak” me Lumi B dhe “Mëkati jem” me Geasy dhe Majk.

4. Kida është një nga këngëtaret më të dashura për publikun në “The Top List”. Çdo këngë e saj është pëlqyer shumë dhe madje kanë qendruar shumë gjatë në klasifikim. Ndër projektet e saj më të suksesshme mund të përmendim “Ti”, “Merri krejt”, “Deja vu”, “Moti”, “Malli”, “Tela”, “Dale” dhe “Dinero”.

5. Elhaida Dani ka hyrë vetëm pak javë më parë në klasifikim, por ama shumë fuqishëm. Artistja ka publikuar albumin e saj “ZanIN” me pesë këngë dhe që në çastin e lançimit, të pesta këto këngë arritën të merrnin votat e publikut për të hyrë në klasifikimin e “The Top List”. Është fjala për “Zanin”, “Amore”, “Hajmali”, “Kënga jonë” dhe “Jam betu”.