Fenomenit të papërsëritshëm të “Big Brother VIP” nuk kishte si t’i shpëtonte dhe klasifikimi i “The Top List”, Top Awards. Le ta pranojmë, ky edicion i “BBV” ka thyer çdo rekord shikueshmëri dhe kudo vazhdon që të flitet për të.
Në këtë garë të fortë për çmimin e madh, kishim dhe disa këngëtarë mes artistëve të tjerë të çdo fushe. Disa prej tyre madje krijuan edhe këngë menjëherë pas daljes së tyre nga shtëpia. Le të ndalemi pak tek artistët që ky spektakël i dha një shtytje më shumë në publik.
Me fillimin e këtij spektakli pamë artistë nga të gjitha fushat dhe profesionet. E sigurisht nuk kishin si të mungonin dhe këngëtarët, mes të tjerëve. Sot e kësaj dite në Top 10, muaj pas përfundimit të këtij reality-show ndërkohë që pritet të fillojë tjetri, vazhdon të mbizotërojnë protagonistët e “Big Brother VIP”.
Dhe mesa duket, “BBV” i ka hapur atyre mjaft dyer dhe u ka dhënë një shtysë edhe më të madhe në karrierë, sigurisht që jo se nuk e kishin më parë, por fenomeni “Big Brother VIP” padyshim që ndikoi për më mirë. Le të kujtojmë pak se cilët ishin disa nga këngëtarët që hynë në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
Sheila Haxhiraj ishte ndër të parat që futi këmbën në atë shtëpi dhe madje pas eksperiencës së saj aty, bëri që të hynte për herë të parë mes artistëve të Top Awards. Nga ana tjetër kemi dhe Semi Jaupaj. Këngëtarja nuk ka patur një eksperiencë kaq të gjatë sa të tjerët, por sërish ishte një ndër banoret më të komentuara. Kënga e saj “Jetike” me të cilën është paraqitur në “Kënga Magjike 2021” ka patur një rritje të jashtëzakonshme në YouTube. Që me hyrjen e saj në shtëpinë e “BBV”, “Jetike” tashmë dëgjohet dhe këndohet më shumë se kurrë.
Semi ka publikuar dhe “Mos u kthe”, që mendohet se ka të bëjë me situatat e këtij spektakli, pikërisht me trekëndëshin Bora-Donald-Beatrix. Pas kësaj u shoqërua nga “Ani”, sërish shumë e komentuar për shkak të mesazhit, gjë që i dha akoma dhe më shumë shtysë në publik.
Beatrix Ramosaj ka qenë prej javësh në krye të klasifikimit me këngën “Faj”, një këngë që ajo e krijoi menjëherë pas daljes së saj nga shtëpia më e famshme në Shqipëri. Sigurisht që “Faj” lidhet me eksperiencën e saj brenda “BBV” dhe lidhjes së saj romantike të krijuar me Donald Veshaj.
Kënga e fundit e Beatrix ka qenë “By my side”, e publikuar në qershor të vitit të kaluar. Le të themi që “Faj” padyshim i dha një ngritje të madhe këngëtares. Pas kësaj ajo erdhi me “Ma shumë se ti” dhe “Vonë”, që të tre këto projekte ndodhen në Top 10 momentalisht.
Fifi krijoi “Diell” teksa ishte akoma brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Duket se ajo kohë ka ndikuar mjaft pozitivisht në krijimtarinë e Fifit. “Diell” vazhdon që të jetë pjesë e listës prej 25 javësh dhe vazhdon që të jetë në rritje.
Le të mos lëmë pa përmendur këtu dhe vëllezërit Veshaj, Romeo dhe Donald. Sigurisht që ata kanë qenë mjaft të pëlqyer si aktorë humori, por si këngëtarë nuk kanë pasur suksesin që kanë tani. Që pas “BBV” ata kanë qenë mjaft të angazhuar me projekte muzikore dhe koncerte. E kuptojmë që fenomeni “Big Brother VIP” pati një impakt të madh. Këngëtarët vazhdojnë që të jenë shumë ‘in’ në publik, edhe pse tani efekti mund të jetë zbehur pak, por kurrësesi të jetë zhdukur. Pyetja është se edhe për sa kohë vallë?!