Alban Skënderaj është një ndër artistët, projektet e të cilit shndërrohen menjëherë në hite qofshin projektet “solo” apo bashkëpunimit. Por duket se kjo javë nuk ka favorizuar mjaftueshëm bashkëpunimin e tij me Dalool, “1000 Premtime”, i cili gjatë kësaj javë ka humbur një pozicion, duke u renditur në vendin e 5-të.

Nga ana tjetër, baladat e tij janë rikthyer përsëri në qendër të vëmendjes, duke u ngjitur me disa pozicione, duke lënë kështu të nënkuptohet se Alban Skënderaj pëlqehet më shumë me baladat e tij  sesa me projektin ritmik me Dalool.

“Stoli i Trendafilave”, një projekt muzikor i cili ka 30 javë që është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List”, gjatë kësaj jave është ngjitur me plot 15 pozicione, duke u renditur në vendin e 16-të. Nga ana tjetër edhe  “Dikur” ka korrur sukses këtë javë, ku falë votave të publikut, këtë javë mban vendin e 20-të, duke u ngjitur me 8 pozicione nga java e kaluar.

Pas eksperiencës në “The Voice”, ku konkurrenti i tij u shpall zëri më i mirë i shqiptarëve, Albani është nisur drejt Kosovës, për recitalin “Tingujt e Ditarit Tim”, i cili nis rrugëtimin e tij ditën e nesërme në Prishtinë.