I ftuar në Top Albania Radio në emisionin “Ndryshe”, ka qenë artisti i njohur Alban Skënderaj i cili foli për albumin e tij më të ri që titullohet “Rrënjët Këngëtari ndau detaje edhe nga koncertet e tij madhështore që ka mbajtur edhe jashtë Shqipërisë duke treguar se ka qenë komplet një emocion tjetër për të.
Si erdhi ky album i titulluar “Rrënjët”?
Për mua është patjetër një pikë kulmore e karrierës time dhe duke e nisur me koncertet që këto kanë qenë një nga arsyet që përse “Rrënjët” ka ardhur si album, ndoshta ka qenë një frymëzim për mua, kisha nevojë që të shikoja dhe takoja njerëzit të kuptoja me të vërtetë impaktin e muzikës time. Gjithashtu të kuptoja dashurinë dhe u çlirova për herë të parë pas shumë vitesh që të mos bëj më llogari ose të jem i kujdesshëm dhe i kompleksuar. Doja vërtet një gjë të bukur dhe pse jo të rikthehesha tek rrënjët edhe pse ky album është i bukur, është modern, është pop, por rrënjët i ka tek muzika shqiptare.
Ka të bëjë me rrënjët e tua labe?
Ka të bëjë edhe me rrënjët e mia labe. Është shumë interesante unë faktikisht, mund ta konsideroj që ky album është më shumë Albani para se të largohej nga Shqipëria sesa Albani kur u kthye në Shqipëri. Kam ikur në moshën 14 vjeç dhe kur u ktheva, u ktheva me frymën perëndimore, solla ato notat italiane. Këtë herë u ktheva mbrapa në kohë me muzikën popullore të Veriut, Jugut, Shqipërisë së Mesme, por ajo që më ka ngelur mua është pikërisht ajo që kam jetuar deri në adoleshencë. Që do të thotë familja, festat…
Në këtë fazë të karrierës kaq lart, përse Albani vendosi të rikthehej tek ‘Rrënjët’?
Po sepse më mungonte në albumet e mija nuk e kam një tingull një melodi ku ne kthehemi tek rrënjët tona, që thashë janë të fshehura në mënyrë shumë moderne, por ishte një gjë që më mungonte. Nëse do të bëja një këngë të stilit Pop, perëndimor si kënga ‘Ja ku jam’ që kam nxjerrë para një viti është një gjë që pritet nga unë kurse këtu ndryshon.
Më tej ai shtoi se:
Kam lexuar pak tekstet në mënyrë më të dashur, më tavolinë nuk e di si ta shpjegoj nuk është ajo poezia klasike e imja që mundohem të jem filozofik. Një pjesë e rëndësishme e albumit janë edhe ndjenjat e mia, por duke qenë se është pak më ëndërrimtar ka dhe gjëra që të çojnë përtej asaj që ke prekur dhe fusin në lojë fantazinë tënde, aktivitetin tënd edhe atë që ti nuk e ke përjetuar midis të tjerëve. Gjithësesi kjo është për t’u vlerësuar. Ajo që është e rëndëshishme për herë të parë dhe kush më njeh e di mirë që unë nuk jam asnjëherë i kënaqur me superlativa. Por tek ky projekt jam i lumtur dhe i kënaqur.