Pas një periudhe të gjatë pa një album të ri, Alban Skënderaj ka ardhur me një projekt ndër më personalët e karrierës së tij. Artisti ka prezantuar albumin e ri me titull “Rrënjët”.
Ky projekt shkon përtej muzikës, duke u ndërtuar mbi një ide të fortë emocionale, kujtimet, ndjesitë dhe përjetimet që mbeten brenda nesh për vite me radhë dhe që në një moment rikthehen në sipërfaqe.
Në një intervistë për emisionin “Ndryshe”, ai tregoi se ky projekt është frymëzuar edhe nga koncertet dhe takimet me publikun, të cilat i dhanë mundësinë të kuptojë më thellë ndikimin e muzikës së tij dhe lidhjen emocionale me fansat. “Rrënjët” përfaqëson një kthim te identiteti dhe origjina, duke ndërthurur tinguj modernë pop me elemente të muzikës tradicionale shqiptare. Ai theksoi se këtë herë ka krijuar pa presion dhe pa kalkulime, duke u fokusuar te autenticiteti dhe ndjeshmëria artistike.
Skënderaj pranoi se albumi lidhet ngushtë edhe me rrënjët e tij labe, por në të njëjtën kohë përfshin ndikime nga e gjithë treva shqiptare, veriu, jugu dhe Shqipëria e mesme. Ai shtoi se ky projekt reflekton më shumë periudhën e jetës së tij përpara emigrimit, duke rikthyer kujtime nga fëmijëria, familja dhe festat tradicionale.
Në një video për fansat e tij, kur Albani paralajmëroi këtë projekt, u shpreh:
“Ka disa gjëra që flenë brenda nesh për vite me radhë pa bërë zë. Janë kujtime, tinguj, aroma… janë zëra që i kemi ndjerë që kur kemi qenë fëmijë dhe që në një moment të jetës mendojmë se i harrojmë. Por ato nuk ikin kurrë. Rrinë aty, diku thellë, dhe presin të rizgjohen. Unë jam larguar në një moshë shumë të re dhe nuk pata mundësinë të njihem thellësisht me muzikën tonë, por gjurmët e motiveve tona, sado pak dhe pa vetëdije, kanë lënë shenjë edhe tek unë. Njeriu mund të jetojë kudo në botë, mund të dashurojë shumë vende, kultura dhe tinguj, por ka disa gjëra që flenë në shpirt dhe, herët a vonë, të thërrasin. Pas 15 vitesh rikthehem me një album, ndoshta më i veçanti dhe më i ndjeri që kam krijuar deri tani. Janë këngë që kanë buruar në mënyrë spontane dhe instinktive, dhe që lidhen natyrshëm me njëra-tjetrën. Nuk është vetëm një album për mua; është një frymë, një vepër si një trup i vetëm. Pas shumë vitesh në muzikë, pata një nevojë instinktive për të eksploruar dhe për t’u frymëzuar nga rrënjët tona, të cilat janë një vlerë e jashtëzakonshme e kulturës dhe identitetit tonë. Shpresoj shumë që, kur ta dëgjoni, të gjeni edhe ju një copëz nga vetja brenda tij. Sepse, në fund të fundit, të gjithë kthehemi diku. Edhe unë, këtë herë, me këtë album, jam kthyer në shtëpi.”