I ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio ka qenë Ylli Shahaj, i njohur edhe si DJ Iljano. Në këtë intervistë ai ka zbuluar më shumë detaje jo vetëm nga karriera e tij muzikore, projektet që pritet të publikohen. Davidi e pyeti në fillim nëse i qëndron akoma deklaratës së tij ku thotë se: Muzika sot është shterpë, po bëhet biznes. Ai u përgjigj duke thënë se:
Ka qenë një titull për të cilin më kanë shkruar shumë miq dhe më kanë thënë se ka edhe muzikë të mirë dhe duhet të isha shprehur ndryshe por unë prapë i qëndroj mendimit që është më shumë shterpë se ç’ishte. Është mendim personal, por unë e testoj në dy këndvështrime. Si fillim e shoh edhe si DJ ku unë dhe kolegët e mi luajmë pothuajse të njëjtat këngë, që do të thotë se hite këtë vit mund të kenë qenë me gishtat e njërës dorë. 4 ose 5 këngë që mund të kenë qenë të reja. Pjesa tjetër e një seti të një DJ janë këngë të vjetra, të ripërpunuara.
Çfarë i mungon sot muzikës shqiptare sipas tij?
Kjo ha shumë diskutim të themi të drejtën, momentalisht ka ndryshuar mosha, njerëzit që bëjnë jetën e natës, dëgjuesit. Kanë të bëjnë shumë edhe rrjetet sociale.
Dj Iljano ka treguar se si qëndron e vërteta e këngës së Rezarta Shkurtës dhe projektit muzikor që ai kishte përgatitur për ta sjellë me Rozana Radin që bëri bujë disa muaj më parë. DJ Iljano u shpreh se versioni i Rozanës pati shumë reagim, u prit mjaft mirë kur ajo e këndoi më 14 shkurt në një club në Tiranë. Sipas tij, në momentin që do të nisnin të regjistronin klipin, ata morën vesh se i gjithë katalogu muzikor i këtij kompozitori, Genti Lako, ishte shitur në vitin 2023.
“Ne e mbaruam audion, e regjistruam. Rozi e këndoi më 14 shkurt në një nga club-at e Tiranës, pati shumë reagim. Ndoshta ngaqë versioni jonë ishte ok, ndoshta këngë e vjetër dhe njerëzit kishin nostalgji, këtë nuk e di. Aty Rozi mori spunton dhe tha ‘do t’a bëjmë’, duke parë reagimin e njerëzve. E bëmë. Ndërkohë që ne mbaruam audio, filloi të këndohej në Big Brother. Patjetër që ata nuk e dinin ça bëhej jashtë, ne nuk kishim dijeni se pse këndohej brenda, e nga kjo filluam ta përshpejtonim. U bë, një ditë para se të regjistronim klipin morëm vesh që i gjithë katalogu muzikor i këtij kompozitori, Genti Lako, ishte shitur në vitin 2023 një pale tjetër. Duke qenë se merret për bazë kontrata e parë, jo e dyta, katër kontratat tona automakishit binin poshtë”, tha ai.
Pjesë nga intervista:
David: Më thuaj të vërtetën tënde, Rozana thotë se kënga është shitur dy herë. Tani, ty si të rezulton e vërteta?
DJ Iljano: Mua më vjen keq që e gjithë pesha i ra Rozanës, paçka se ishte e ftuar, duhej të dilja unë.
David: Iniciativën e more ti për këtë projekt?
DJ Iljano: Patjetër dhe Rozi ka qenë e ftuar. Në këtë bashkëpunim, unë jam i sigurt që i kemi bërë detyrat e shtëpisë. Që domethënë, ai bashkëpunim, duke u bazuar në katër kontrata që ne kemi me kompozitorin e asaj kënge.
David: Katër kontrata!?
DJ Iljano: Po, e para ka qenë me Genti Lakon që është kompozitori dhe autori i asaj kënge, që në muajin tetor të vitit 2025, pa filluar “Big Brother”, pa patur ne asnjë ide që kënga do të risillej nga vetë këngëtarja. Kontrata e dytë ka qenë në muajin janar, që ne merrnim të drejtat ekskluzive për remake, jo për origjinalen, që do të thotë asnjë artist tjetër nuk mund të bënte një remake pa lejen tonë. Kontrata e tretë është bërë me Kastro Zizon që ka qenë bashkë tekstshkrues me Genti Lakon. E kontrata e katërt është bërë mes meje, Rozanës dhe Genti Lakos.