menu

Miriam Cani: Kam një problem të madh, nuk bëj dot një produksion të shpejtë


22:14 23/11/2018

“Ne parajse” është një nga hyrjet më të reja të “The Top List”, e cila është publikuar nga artistja e dashur e publikut shqiptar, Miriam Cani. Artistja e njohur është rikthyer me një projekt të ri pas thuajse një viti mungesë, duke lënë fansat e saj në pritje. Pavarësisht kësaj, ata kanë mirëpritur prurjen e re të këngëtares tyre të preferuar, duke e sugjeruar pafund që ajo të futej në klasifikim dhe ia kanë dalë më së miri pasi kjo këngë ka zënë vendin e 40-të që në javën e parë të hyrjes në listë.

E kontaktuar nga “Top Awards” lidhur me projektin më të ri muzikor, Miriam ka zbuluar më shumë detaje dhe ka treguar pse nuk mund të publikojë projekte shumë shpesh.

TA: “Ne parajse”, sa kohë të është dashur të punosh për këtë projekt muzikor? Për çfarë flet kënga?

Miriam: Si gjithmonë është punuar me shumë kujdes deri në detaj. Eshtë një këngë e punuar me shumë dashuri dhe bashkëpunim me njerëz që janë tepër kreativ dhe artistë në shpirt. Jam e lumtur me rezultatin sepse është një stil pak më ndryshe nga gjërat që kam publikuar më parë.

TA: “Miriam, duhet të bësh këngë më shpesh”, thonë fansat, si përgjigjet Miriam?

Miriam: Unë kam një problem të madh, nuk ja dal dot të bëj një produksion të shpejte. Çdo këngë/projekt më merr disa muaj kohë dhe energji ndaj dhe 2-3 këngë në vit është maksimumi që mund të ofroj. Plus tani që jam bërë edhe mami, prioriteti është Ameli dhe kohën që më lë Ameli të lirë, unë e shpenzoj në muzikë por po vijnë plot gjëra të bukura.

TA: Tekstet e tua ia beson gjithmonë Albanit?

Miriam: Deri tani po.

TA: Fansat të kanë votuar dhe të kanë renditur në vendin e 40-të, ke një mesazh për ta?

Miriam: Pres të më votojnë për vendin e parë (qesh) sepse janë fansat jo vetëm më të mirë në botë por më kreativët që ekzistojnë. Dhuratat që kam në shtëpi të bëra nga ata janë vepra arti për mua. Janë jashtëzakonisht të talentuar, shumë inteligjent dhe shumica prej tyre edhe artist. Kam piktura apo poezi që më kanë dedikuar të cilat do t’i mbaj gjithmonë si kujtime të çmuara në shtëpinë time.

TA: Mendon të bësh ndonjë bashkëpunim me ndonjë artistë përveç Albanit?

Miriam: Me siguri që po..një ditë..

TA: Ke nisur punën për projektin e ardhshëm?

Miriam: Jam duke punuar me dy projekte muzikore shumë të bukura dhe disa projekte te tjera shumë interesante.