Artistja shumë e dashur për publikun Miriam Cani ka qenë së fundmi e ftuar në studion e “Pardon My French” në Top Albania Radio. Këngëtarja foli për shumëçka pasi për të ka shumë interes, shkak janë daljet e saj shumë të rralla televizive.

Miriami nuk ka qenë shumë aktive me muzikë në tregun tonë, a ka ndikuar fakti se tanimë është nënë e dy fëmijëve?

Këtë periudhë e kam kaluar me ngarkesë të madhe. Është totalisht ndryshe kur bëhesh me dy fëmijë, është e gjithë koha e bllokuar, përveç punës së përditshme dhe pjesës profesionale. Shpeshherë flas me Albanin kur gjejmë ndonjëherë hapësirë dhe bëhemi nostalgiik të viteve të para, kishim dëshirë të dilnim bashkë, të rrinim gjatë gjithë kohës, të udhëtonim. E kritikojmë veten themi duhet të kemi pak hapësirë për veten tonë.

Këngëtarja gjithashtu na tregoi më shumë edhe për fillimet e karrierës së saj.

E kam nisur në Gjermani. Kur isha 17 vjeç mora pjesë në audicionet e ‘Pop Stars’. Ajo zgjati rreth 6 muaj, pastaj në vitin 2003 u bëra pjesë e grupit ‘Preluders’ dhe që aty nuk u ndala. U bën 20 vite gati. Këtu në Shqipëri është një treg shumë ndryshe dhe unë e nisa ndryshe karrierën time. I kam parimet e mia të theksuara, qëndrova aty ku ndihesha unë më mirë. ‘The Voice’ ka qenë projekti që më riktheu në Shqipëri. 

A do të ketë Miriam në planet e saj të së ardhmes një bashkëpunim, këtë herë jo me Albanin?

Dhe mund të ketë në një të ardhme pse jo. Mund të ketë diçka dhe jashtë kufirit. Më ka munguar muzika mund të rikthehem. Biznesi më ka marrë shumë kohë prandaj nuk kam qenë shumë aktive. 

Një lajm që padiskutim do i gëzojë fansat e saj, Miriami ka në plan një projekt vërtet të mrekullueshëm. Bëhet fjalë për një projekt ndryshe që me siguri do të ‘rrëmbejë’ vëmendjen e të gjithëve.

Kemi bërë diçka që do dalë këto ditë. Jemi duke punuar mbi disa materiale muzikore. Nuk dua të zbuloj shumë. Po bëj diçka totalisht të re përsa i përket karrierës sime, rrugëtimin tim muzikor. Është diçka që unë e ndjej më shumë se kurrë. Lidhet me gjithçka sa me biznesin, aq edhe me jetën familjare. Kam bërë një ninullë. Është një projekt shumë i ndjerë, shumë i bukur. Ka vite që e mendoj si projekt, por ka qenë problemi i kohës. Tani erdhi natyrshëm, Albani kompozoi diçka shumë të bukur. M’u përshtat shumë dhe do dalë këto ditë.

Ndërkohë, duket se planet afatgjata të Miriamit mund të jenë edhe jashtë Shqipërisë, teksa artistja u shpreh si më poshtë.

Vazhdoj kam kontakte në Gjermani me artistët, producentët. Mbase edhe diçka jashtë Shqipërisë mund të bëhet.

Në fund të intervistës, Miriam na zbuloi dhe disa detaje nga jeta e saj me Albanin dhe fëmijët.

Është një dashuri si çdo dashuri tjetër. Dhe ne kemi debatet tona, zënkat tona, 90% janë për sa i përket Amelisë dhe Duamit. Ne kompensojmë shumë mirë njëri-tjetrin. Unë kam disa gjëra ku Albani ndihet i sigurt dhe anasjelltas.

Artistja bukuroshe gjithashtu na zbuloi se në të ardhmen e afërt kanë në plan të bëjnë një ‘tour’ në Amerikë.

Të bëjmë një ‘tour’ në Amerikë së shpejti të dy së bashku e kemi në plan.