Elhaida Dani me “Zanin” e saj arriti të korrte suksesin e dëshiruar brenda një periudhe të shkurtër. Më në fund u zbulua mbrëmjen e të hënës albumi i saj më i ri me të cilin kishte kohë që punonte dhe salla e mbushur me adhurues të muzikës dhe zërit të saj e pritën me brohorima. “Zanin”  e këngëtares e dëgjoi e gjithë salla e teatrit të Operas dhe Baletit, por suksesi i saj nuk ishte vetëm ky.

Albumi, i cili është i përbërë nga 5 këngë, nuk u prit mirë vetëm nga publiku, por gjithashtu edhe nga kolegët e saj. Së fundmi ajo ka treguar dhe më shumë detaje për këto këngë të albumit. Artistja e njohur shprehet se në këto projekte muzikore ka dhënë të gjithë shpirtin dhe ka dashur të vijë 100% shqip.

1.Zanin

Në këtë këngë, që mban dhe titullin e albumit të saj, Elhaida ka treguar se ka lindur shumë natyrshëm. Ajo “Zanin” ja dedikon vendit të saj, Shkodrës dhe gjuhës së saj.

2.Hajmali

Këtë këngë, Elhaida e lidh me një hajmali të cilën ka vite që e mban dhe që i sjell fat. Edhe pse në fillim ishte skeptike, kjo këngë rezultoi ndër më të pëlqyerat.

3.Amore

A është e nevojshme të themi që kjo këngë duket si një dedikim dashurie? Edhe pse Elhaida nuk preferon të flasë lidhur me jetën e saj personale, ajo ka ngritur hije dyshimi se në të vërtetë është e dashuruar. E ku ka më bukur se kjo këngë për ta vërtetuar këtë?

4.Kënga Jonë

Kjo këngë flet për mbarimin e një historie romantike dhe për një vajzë që akoma ka frikë se nëse e takon në rrugë personin që dashuron do ta lëndojë. Por e veçanta e kësaj kënge është që nuk është aspak trishtuese.

5.Jam betu

Një këngë kjo e cila përcjell shumë pozitivitet dhe energji të mirë. Një betim ndaj njerëzve që të mbushin vetëm me dashuri. Vetë Elhaida madje ka menduar që këtë këngë do ta përdorte për në Eurovizion.